​Nuk ka kuorum as për votimin e marrëveshjes bilaterale me Luksemburgun

Në mungesë të kuorumit është shtyrë për më vonë votimi edhe i Projektligji për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II). Derisa pozita ofroi mbështetje për këtë projektligj, mbështetja mungoi nga partitë opozitare. Për miratimin e kësaj marrëveshje nevojiten 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.  Vetëm 70 deputetë kanë marr pjesë në votim. 

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati kërkoi që ky projektligj të mbështetet nga 2/3 e deputetëve sepse kjo ndikon në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe shtimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore.

“Mbështes zbatimin e programit që Qeverisë së Kosovës për sektorin e shëndetësisë me theks të veçantë në reformimin e sektorit të shëndetësisë, në riorganizimin e sektorit të shëndetësisë dhe objektiv strategjike ruajtje dhe përmirësimi i shëndetit. Kontributi i projektit do të mundësoj në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ngritjen e kapaciteteve institucionale përfshirë ato menaxheriale dhe performancën e institucioneve shëndetësor”, tha ai.

Ky projektligj për mbështetje shëndetësore mori mbështetje edhe nga grupi parlamentar të mazhorancës. Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se ky projektligj ka rëndësi të madhe për përkrahjen e sistemit shëndetësor.

“Të miratohet projektligji  për amendamentin e të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), dhe nën 2 në cilësinë e kryetare arsyetimi është i shkurt sepse komisioni vlerësoi se  projektligji ka rëndësi të madhe për përkrahje të sistemit shëndetësor  të Kosovës dhe kërkon nga Kuvendi miratimin e tij”, tha ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza tha se nuk mund të votojnë këtë projektligj pasi, sipas tij, në këtë mënyrë po rritet borxhi publik.

Ai po ashtu tha se partitë në pushtet nuk po i ofrojnë sqarimet e kërkuara opozitës.


“Derisa nuk ndërron ky pozicion dhe kjo gjendje dhe ky pozicion i partive shumicë në pushtet GP i PDK-së sigurisht se nuk mundet me i përkrahë. Ne kemi të drejtë si opozitë me i kërkuar sqarimet e nevojshme të secilës marrëveshje. Nëse rritet borxhi publik 500 milionë euro, rreth gjysmë miliardi, atëherë sigurisht se kjo mund të ketë impakt edhe në rritjen ekonomike të vendit. Mirëpo çka ndodh mbas 3-4 vjetëve[…]Ne prej partive shumicë në Kuvend nuk po mundemi me i marrë sqarimet e nevojshme. Ndoshta dikujt munden me iu duk kërkesat tona shumë, por për momentin me nuk mund t’i përkrahim këto marrëveshje financiare ndërkombëtare”, tha ai.

Projektligjit për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), nuk u përkrah as nga grupi parlamentar i AAK-së.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri kërkoi të di se ky program a mund të jetë barrë për buxhetin e Kosovës.

“Kërkesa jonë për ministrinë është që bashkërisht me përfaqësuesin tonë në Komisionin për Buxhet, Lekaj të shohim se a është ky program në korniza buxhetore a është program që lehtëson apo është program që i jep peshë dhe barrë më të madhe  dhe lehtësimit të programeve në fjalë. Ne në sallë nuk i kemi as 80 deputetë dua të ngrisë edhe tek ju edhe tek shefja  e grupit parlamentar të LVV se a po duam me vendos vetëm për të mos u votua apo kemi synim me i votua këto marrëveshje ndërkombëtare[…]Kryeministrit Kurti i kam thënë ju e keni fuqinë shumicë në Kuvend por  fuqia e opozitës jo vetëm tek marrëveshjet ndërkombëtare por edhe për shumë tema nacionale iu nevojitet, është bërë ky Kuvend dhe këto komisione parlamentare janë kthyer në seanca të shkarkimeve”, tha Tahiri.

Ndërsa ministri Hekuran Murati tha se me këtë marrëveshje nuk rritet borxhi publik, por kontributet.

Sipas tij opozita po e përdorë këtë vetëm si pretekst para qytetarëve për mos votimin e këtyre marrëveshjeve.

“Zotëri Tahiri që tha se  këto duhet të reflektohen në buxhet është vetëm pretekst para qytetarëve për mos votimin e këtyre marrëveshjeve  që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë që është investim shumë i nevojshëm”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: