Një pacient është hedhur nga dritarja e Klinikës së Kirurgjisë Torakale të QKUK-së mëngjesin e sotëm (e diele) dhe ka vdekur. Lajmi është konfirmuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
“Menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e ndihmës mjekësore, por përkundër masave reanimatore dhe ndihmës së vazhdueshme nga stafi i Klinikës Emergjente me mjekë konsultantë nga klinikat e tjera, për shkak të plagëve, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë”, u tha në njoftim.
Për rastin, QKUK tha se janë informuar organet policore dhe ato të hetuesisë, të cilat po merren me të.
Klinika e Kirurgjisë Torakale është klinika e vetme në Kosovë e cila kirurgjikisht trajton sëmundjet e gjirit dhe te kafazit te kraharorit. Në këtë klinikë, marrin trajtim të gjithë pacientët me sëmundje kirurgjike të gjirit, mushkërive, pleurës dhe bronkeve, mediastinumit, diafragmës dhe murit te kraharorit.