​Një muaj paraburgim për shtetasin serb të dyshuar për krime lufte

​Një muaj paraburgim për shtetasin serb të dyshuar për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.C i dyshuar për shkak të veprës penale penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative ë Jugosllavisë (KP i RSFJ), lidhur me nenin 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe po ashtu e penalizuar me nenin 144 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.C e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.


Të pandehurit J.C paraburgimi i është caktuar në harmoni me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të KPPRK-së.

Gjykata ka konsideruar se caktimi i ndonjë mase më të butë për sigurimin e prezencës së të pandehurit J.C në procedurë penale do të ishte e pa mjaftueshme, andaj dhe caktimin e ndonjë mase më të butë e konsideron si jo të bazuar dhe faktuar, e posaçërisht kur dihet se hetimet janë në fazë fillestare, gjithashtu duke konsideruar faktin se i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, ekziston rreziku real se i njëjti mund ti shmanget ndjekjes penale.

Ndryshe, mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një person të nacionalitetit serb në Istog, i cili është i dyshuar për krime lufte të kryera ndaj popullatës civile të Kosovës në periudhën gjatë viteve 1998-1999.

Lexo edhe

Video