​Ngrihet flamuri i BE në Tiranë, Rama: Nga sot rruga jonë bëhet më sfiduese

Mëngjesin e sotëm para Kryeministrisë në Tiranë u zhvillua sot ceremoniali i ngritjes simbolike të flamurit të BE, pas çeljes zyrtare së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane. Në këtë ceremoni morën pjesë anëtarë të qeverisë, mazhorancës, trupa diplomatike, përfaqësues të feve dhe të ftuar të tjerë.

Me këtë rast, kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tha se ngritja e flamurit të Bashkimit Evropian shënon ngritjen Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhënie me BE, por edhe me të ardhmen e saj, me institucionet, liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim.

Në këtë ceremoni munguan përfaqësues të opozitës, e në këtë aspekt, Rama deklaroi se do të donte që të ishin të pranishëm. Por, kjo ishte e pamundur, tha ai, për shkak të pozitës në të cilën ndodhet opozita.

“Do kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjeshtë sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, natyrshëm, kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që, hë për hë, do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër nuk bëjmë dot edhe po të duam”, u shpreh Rama.

Kryeministri nuk la pa falënderuar as shtetet partnere dhe amabsadorë që kanë kontribuuar në zhvillimin e Shqipërisë.

Rama u shpreh se tashmë rruga e Shqipërisë bëhet më e vështirë dhe më sfiduese duke theksuar se energjia, vendosmëria dhe durimi hyjnë në një test të ri.


“Ngritja ceremoniale e flamurit të Bashkimit Evropian në ballin e kësaj godine nuk është simbolizimi i fundit i një beteje historike si kjo për Shqipërinë evropiane, por është vetëm përshkallëzimi i kësaj beteje. Nga sot, rruga jonë nuk bëhet më e lehtë, por shumë më sfiduese dhe përballja me plagët dhe hijet e të shkuarës, e cila kërkon ende përpjekje të mëdha për t’u fituar përfundimisht, hyn në një fazë të re, fryma e ndryshimit hyn në një thellësi të re, aftësitë për ndryshim hyjnë në një sprovë të re, energjia, vendosmëria dhe durimi hyjnë në një test të ri”, vijoi Rama.

Kryeministri shqiptar tha se shpejëtsia e anëtrësimit të SHqipërisë në Bashkimin Evropian do të varet shumë edhe nga ligji e drejtësia duke bërë apel prokurorëve e gjyqtarëve të mos ua mohojnë fëmijëve Shqipërinë Evropaine.

“Edhe ligji dhe drejtësia hyjnë në një shkallë të re vështirësie si kontributorë të pazëvendësueshëm në ndërtimin e kësaj rruge të atdheut drejt të ardhmes, dua tu them sot edhe përfaqësuesve të drejtësisë së re se shpejtësia e anëtarësimit të vendit të fëmijëve tanë në Bashkimin Evropian do varet shumë edhe nga integriteti dhe nga puna e tyre. Mos ua mohoni për asgjë në botë fëmijëve tuaj Shqipërinë evropiane që meritojnë dhe jini të bindur se për sa kohë, të paktën unë do të jem këtu, shumica qeverisëse e Shqipërisë nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj ashtu sikundër ju nuk do të ndiheni kurrë vetëm në luftën tuaj me korrupsionin dhe me krimin e organizuar”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se rrugëtimi drejt anëtarësimi në BE nuk ngjan me asnjë rrugëtim tjetr në hsitorinë e shqiptarëve pasi u shpreh se është rrugëtimi i parë i historisë ku shqiptarët kanë mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët.

“Ky rrugëtim nuk ngjan me asgjë që shqiptarët kanë jetuar në shekuj sepse si në asnjë rrugëtim tjetër më parë, ky i yni është një rrugëtim drejt lirisë, jo robërisë, drejt paqes dhe sigurisë për fëmijët tanë, jo drejt luftërave dhe pasigurisë për hesap të të tjerëve, drejt shtetit modern demokratik të shqiptarëve, jo drejt vasalitetit apo nënshtrimit ndaj perandorish dhe regjimesh që shqiptarët nuk mundën asnjëherë t’i zgjedhin por ua imponoi forca e dhunës mbi kokën e tyre. Ky është rrugëtimi i parë i historisë sonë ku ne kemi mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë, falë transferimit masiv të dijes së shtetndërtimit demokratik që është thelbi i procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përfundoi Rama.

Gjatë ditës së martë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbajtën konferencën e parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian që shënon edhe nisjen e negociatave për anëtarësim. 

Lexo edhe

Video