​Në vit të ri me plagë të vjetra, ku janë të zhdukurit e luftës…

Në pranverën e këtij viti pritet të rifillojnë gërmimet në territorin e Serbisë ku dyshohet për varreza masive, për gjetur trupat e shqiptarëve civilë të vrarë e zhdukur pastaj nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë. Autoritetet e Kosovës, me ndihmën e imazheve satelitore të ushtrisë amerikane, kanë shënjuar dy lokacione atje, Kizhevak dhe Shtaval. Familjarët e personave të pagjetur mbesin të pakënaqur me punën e institucioneve drejt zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre, duke kërkuar që Serbia të kushtëzohet në dialog.

Pa më të dashurit e tyre, madje pa ditur edhe ku ndodhen eshtrat e tyre, familjarë të personave të zhdukur e kanë filluar edhe këtë vit. Të zhgënjyer nga puna institucioneve, gjatë tërë vitit kanë kërkuar që të bëhet presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë varrezat masive me civilët shqiptarë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Bajram Qerkinaj, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”, thotë se për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nuk ka pasur vullnet politik, as të politikanët vendorë e as bashkësia ndërkombëtare.

Tutje, ai thotë se Serbia po bën lojë me çështjen e personave të pagjetur.

“Që 21 vjet të plota na lodrojnë herë në këtë anë, herë në atë anë, herë në Kizhevak, herë në Rudnicë, mund t’i përmend 10-15 lokacione që na kanë lodruar duke thënë janë këtu, janë atje. Tash po ua beson eshtrat, për ne familjarët është diskriminim i të gjitha të drejtave të njeriut që duhet t’i kemi”, thotë ai.

Ujërat, minierat dhe varrezat civile janë përdorur nga Serbia për fshehje të krimit. Këtë e dëshmojnë lokacionet ku deri tani janë gjetur trupa të civilëve shqiptarë.

I tillë është edhe Kizhevaku ku për vjet më radhë në atë minierë janë hedhur gurë e mbeturina.

Gërmimet atje kanë filluar në vitin 2015, por në gjysmën e dytë të vitit 2020, me ndihmën e imazheve satelitore të siguruara nga ushtria amerikane, janë gjetur koordinatat e sakta të një varreze prej ku edhe janë tërhequr pjesë kockore të paktën të pesë personave, ekzaminimi i së cilave është bërë dhe në pranverë pritet rezultati i identifikimit.

Me uljen e temperaturave, mjekët ligjorë kanë ndërprerë gërmimet, për t’i vazhduar ato në muajin mars.

Drejtori i Mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë për KosovaPress se pjesa ku dyshohet për varrezë masive në Kizhevak të Serbisë është konzervuar dhe mbuluar në mënyrë që deri atëherë të mbrohet nga kushtet atmosferike.

“Me gjetjen e mbetjeve kockore më 16 nëntor u deshtë të kryen disa çështje teknike dhe të improvizohet puna në vend, janë vendosur tendat, salla e autopsisë, kontejnerët, është punuar për dy javë pandërprerë, janë tërhequr diku rreth pesë trupa, pesë individë numri minimal, kurse pjesa tjetër është konservuar në bazë të standardeve me pesë shtresa gjeoplastike dhe mbi krejt atë teren është vendosur një çati në mënyrë që të mbrohet nga kushtet atmosferike sepse është vend malor afër qendrës së skijimit në atë pjesë të Kopaunikut dhe bie shumë borë”, thotë Gërxhaliu.

Pas Kizhevakut, ekspertët pritet t’i qasen terrenit në një tjetër lokacion, gjithashtu në territorin e Serbisë. Ata do të gërmojnë në Shtaval, gjithashtu një minierë.

“E kemi vizituar edhe vendin e dyshuar në bazë të informacioneve në Shtaval të Sijenicës, gjithashtu minierë, vend në të cilin janë hedhur mbeturinat e minierës. Pasi të përfundojë Kizhevaku vitin e ardhshëm nuk do të kthehemi fare por do të vazhdojmë në Shtaval që të vazhdojmë kontrollin edhe të Shtavalit që ekziston dyshimi se mund të ketë varrezë masive edhe aty”, thotë ai.


Përveç në Serbi, vitin e kaluar është gërmuar edhe në varrezat myslimane në veri të Kosovës, Suriganë, Polanë e Stanaj, ndërsa në fund të vitit ka pasur gjetje në varrezat civile në Rahovec dhe në Prizren.

Por në këtë proces sfidë mbetet çështja e informacioneve ku Serbia nuk tregon lokacionet e varrezave masive.

“Sfidë është mungesa e informacioneve të besueshme dhe mungesa e informacioneve të besueshme ndërlidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm për shkak se në kuptimin e dialogut ose komunikimin në mes komisioneve megjithatë ka një bashkëpunim mes komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës, pra delegacionit të Kosovës, dhe atij të Serbisë, megjithatë është me rëndësi që çështja në komunikim edhe me partnerët ndërkombëtarë të vazhdojë të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.

Ndërsa organizatat që merren me të drejtat e njeriut po kërkojnë që çështja e personave të pagjetur të trajtohet si çështje humanitare.

Kryetari i Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Behxhet Shala thotë se kjo çështje është shndërruar në politik.

“Nuk ka pasur lëvizje në çështjen e personave të pagjetur për faktin se kjo është shndërruar në çështje politike dhe nuk po trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut dhe çështje humanitare, janë afër 1650 persona të pagjetur pjesa dërrmuese janë shqiptarë. […] Tash që është zbuluar një varrezë në Kishevak të Serbisë është më tepër që Serbia e ka bërë për shkak të presionit të madh që është bërë brenda Serbisë në mënyrë që ta zbulonin një varrezë por t’i fshihnin ndoshta edhe 50 varreza të tjera. Serbia thjeshtë po luan me fatin e të pagjeturve, po luan me varrezat duke e shndërruar në një monedhë llogaritje se sa mund të përfitojë ose humb politikisht dhe në bazë të asaj edhe veprimet”, thotë ai.

E drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj thotë se Serbia duhet të kushtëzohet sa i përket kësaj çështjeje.

“Serbia i di vendet saktë ku janë varrezat masive mirëpo ato informacione po i nxjerr kohë pas kohe kur po i nevojitet për poenë politikë. Definitivisht është dashur që Serbia të kushtëzohet që t’i nxjerrë këto informacione, që ta trajtojë këtë çështje si humanitare e jo politike në asnjë mënyrë. […] Praktika po tregon që nuk është trajtuar si çështje humanitare sepse informacionet për varrezat masive janë mbajtur peng për më shumë se 20 vjet”, thotë Blakaj.

Por, sipas tij, pala kosovare nuk ka ndonjë mekanizëm që të kushtëzojë Serbinë, vetëm nëse këtë mund ta bëjnë ndërkombëtarët.

E Bajram Qerkinaj thotë se Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që mos të ecë tutje në asnjë diskutim tjetër me palën serbe derisa kjo e fundit nuk i tregon lokacionet me trupat e civilëve shqiptarë.

“Është mëkat shumë i madh që Qeveria mos të ketë një plan konkret, mos me ngul këmbë, me thënë zotëri, boll ke ma, është e tepër 21 vjet, ne themi varrezë masive ku janë 2 vetë e më tepër, këta i kanë marrë nga 100 vetë e me thënë nuk e di ku i kam lënë. Mos sepse është lojë e madhe, po luani me shpirtëra të cilët familjarët shkuan, por gjaku i fëmijëve ka me i ndiku”, thotë Qerkinaj.

Ndërkohë gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se çështjen e të pagjeturve Qeveria e ka pasur në rend të parë.

“Kemi bërë të pamundurën në këtë drejtim, duke e vendosur këtë temë në rend të parë, ku e kemi emëruar një person i cili e ka dinamizuar komplet këtë proces, sigurisht me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një çështje kaq të ndjeshme”, ka thënë Hoti para familjarëve të personave të pagjetur në Krushë gjatë një vizite në fund të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, ish-ministri i Jashtëm, tash kryetar Kuvendi në Serbi, Ivica Daciq, publikisht kishte kritikuar serbët që mund të bashkëpunojnë me shqiptarët rreth zbulimit të varrezave masive në Serbi.

Lexo edhe

Video

error: