Varrosen viktimat e fundit të aksidentit tragjik në Bullgari

Varrosen viktimat e fundit të aksidentit tragjik në Bullgari

Në fshatin Vishticë të rajonit të Likovës është bërë varrimi i katër viktimave nga aksidenti tragjik ë ndodhi në autostradën e “Strumës” në Bullgari.Me dhimbje, e fytyra të ngrysura, iu dha lamtumira  e fundit katër anëtarëve të familjes Ahmeti-Bardhi. Bëhet fjalë për babain, nënën dhe dy djemtë binjakë(4-vjecarë).

Qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë e varrimit, ku u shua familja e tërë e Avniut, me bashkëshorten dhe dy binjak katër vjeç, Luani dhe Albani.

Momente të rënda pikëllimi ndanë të afërmit e viktimave, të cilët treguan bisedën e fundit telefonike që kishin me Avniun. I ndjeri, i kthyer nga Gjermania dhe pas ekskursionit në Turqi kishte bërë letrat për bashkim familjarë, por tragjedia ia preu ëndrrat për të marrë familjen me vete.


Ndërkohë sot në varrezat e qytetit në Kërçovë u varros Gazmend Ukalli, i cili bashkë me të fejuarën humbën jetën në këtë tragjedi. Gjatë ditës së djeshme u varrosën edhe viktimat tjera në Moran, Studeniçan, Koliçan, Sllupçan e Tetovë. 

Ndërsa pjesa më e madhe e 45 viktimave që humbën jetën në këtë aksident u varrosën dje pasdite, pas homazheve të kryera edhe nga përfaqësuesit e institucioneve të vendit të premten, shkruan AlsatM.

Të premten në aeroportin e Shkupit  me aeroplan ushtarakë u sollën trupat e 45 viktimave të cilët humbën jetën në aksidentin që ndodhi më 23 nëntor në autostradën e “Strumës” në Bullgari. Autobusi i kompanisë “Besa Trans” u aksidentua derisa ishte duke u kthyer nga Turqia për në Maqedoninë e Veriut.

Në pritje të viktimave ishin krerët institucional. Aty për t’i pritur viktimat dhe për të ndarë dhimbjen me familjarët e qytetarët e Maqedonisë të Veriut ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila bëri edhe nderime pranë trupave të pajetë.

Lexo edhe

Video