PZAP vendos nesër për ankesat e partive për moscertifikim të kandidatëve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se nesër do të dalë me vendimin lidhur me ankesat që ka pranuar nga partitë politike kundër vendimit të KQZ-së, për moscertifikim të subjekteve politike dhe kandidateve.

“PZAP-i do t’ju informojë në afatin më të shpejtë të mundshëm për vendimet që do t’i marrë lidhur me apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve. Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP që i bie se vendimet do të merren deri nesër me datë 26 janar 2021”, thuhet njoftimin e PZAP.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror Zgjedhor thotë se do të veprojë në përputhje me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme, lidhur me ankesat e subjekteve politike për moscertifikimin e listës së kandidatëve të tyre.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi në një prononcim për KosovaPress.


“KQZ është duke pritur shqyrtimin dhe vendimin e PZAP-së lidhur me ankesat të cilat janë paraqitur në këtë institucion. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së si dhe Gjykatës Supreme”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten nuk certifikoi listat e kandidatëve për deputetë, listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe disa partive tjera të komuniteteve jo-shumicë.

Këto parti të shtunën dorëzuan ankesat e tyre në PZAP. 

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: