​Në Ditën e Çlirimit të Deçanit hapet ekspozita “N’rrugë drejt lirisë”

​Në Ditën e Çlirimit të Deçanit hapet ekspozita “N’rrugë drejt lirisë”

Në shënim të përvjetorit të çlirimit të Deçanit, është hapur ekspozitë me fotografitë e atyre që kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës.

“N’rrugë drejt lirisë” titullohet ekspozita e Isa Jasiqit e cila është e hapur për tre ditë në Pallatin e Kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan.

Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Aty, Haradinaj tha se dita e lirisë i bashkon të gjithë.

“Sot jemi të bashkuar në shenjë të ditës së lirisë së Kosovës, popullit tonë shqiptarë, të komuniteteve që jetojnë me ne në Kosovë, që janë edhe ata më vendin e vet. Gëzuar, urime dita e lirisë qofshim të lirë përjetë. Së pari ne përulemi me respekt para të rënëve për liri që janë shumë të të gjitha kohërave, dhe nuk i ndajmë, nuk i dallojmë, të gjithë ata që kanë luftuar e kanë rënë për liri, në përpjekje për liri e kanë dhënë jetën, ne i respektojmë”, tha ai.


Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, Haradinaj e Ramosaj bashkë me ish-bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe pranë lapidarëve të dëshmorëve në qendër të qytetit dhe të kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në  Gllogjan.

Në këtë ditë, kryetari i Deçanit u bërë dedikim ish-luftëtarëve të UÇK-së që nuk janë në Kosovë për te festuar përvjetorin e çlirimit.

“Nderimi është për ata që e kanë vë një gur për këtë liri. Ne dje e kemi pasur një eveniment  që përkon me 40 vjetorin që është jubile e demonstratave të 81-ës, dhe sot në hapjen solemne në sallë dhe këtë dedikim e kam bërë për një djalë tonin që sot nuk është me neve zotin, Nasim Haradinaj, po ashtu për njerëz që e kanë bartë themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që sot nuk janë me neve[…]Sot dua ta përmbyll këtë me një nderim dhe lavdi për dëshmorët e kombit, për ushtarët e ushtrisë çlirimtare, faleminderit që keni qenë pjesë e na keni motivuar për me ardh deri të liria”, tha ai.

Isa Jasiqi ka treguar gjithçka është përfshirë në këtë ekspozitë.

“Kjo ekspozitë është konstruktuar në tri shtylla, në të burgosurit politikë, aktivitet kulturore të viteve të 90-ta dhe shtylla e  luftës çlirimtare të rrafshit të Dukagjinit. Qëllimi i ekspozitës ndërlidhet me 40 vjetorin e demonstratave të 81-tës dhe 30 vjetorin e themelimit të shoqërisë  kulturo-artistike, Jusuf Gërvalla. Kupola e kësaj dite të shenjtë të 16 qershorit janë tri shkronjat e arta të UÇK-së. Ekspozita ka edhe artifakte të tjera, është makina e shkrimit me të cilat janë shtypur revista ‘zgjimi’ dhe shumë programe festive, përkujtimore e të tjera. Në këtë ekspozitë kemi edhe të burgosurit politikë dhe aktgjykimet e tyre[…]ekspozita do të jetë e hapur për tri ditë”, tha ai.

Shënimi i ditës së çlirimit në Deçan ka nisur me ngritjen e flamurit në qendër të qytetit dhe me seancë solemne në Kuvendin Komunal dhe do të përfundojë me një koncert të këngëtarëve të Deçanit në qendër të qytetit.

Lexo edhe

Video