​Nagavci: Nëse vazhdojnë problemet, zgjedhjet studentore të anulohen

​Nagavci: Nëse vazhdojnë problemet, zgjedhjet studentore të anulohen

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës duhet të anulohen në rast se vazhdojnë të ketë probleme në këtë proces siç është raportuar edhe paraditen e sotme.

Sipas ORCA-s, organizatë që është duke monituruar procesin, nga ora 8:30 deri në orën 10:45 ka pasur një bllokim sistemi si pasojë e ushtrimit të nivelit të dytë të sigurisë përmes emailave që ka rezultuar me bllokimin e përkohshëm të procesit.

Në momentin e zhbllokimit të tij janë shtuar vetëm edhe 6 vota të cilat kanë mbetur pa u procesuar në kohën e bllokimit. Ky numër i vogël i votave të ardhura pas bllokimit, ORCA tha se tregon se bllokimi prej 2 orë e 15 minutash nuk është sulm jashtëm apo tentativë për manipulim nga jashtë


Ministrja Nagavci tha se zgjedhjet studentore janë të një rëndësie të veçantë, si për studentët ashtu edhe për Universitetin dhe duhet të garantohet e drejta e votës për secilin student ashtu si dhe një proces demokratik, i drejtë e transparent.

“Ndonëse jemi në rrethana të lehtësuara pandemie, Universiteti kishte vendosur që ato të mbaheshin online. Vetëm një orë pas fillimit të procesit, sistemi i votimit ka rënë dhe studentët nuk po mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit. Si ministre, shpreh shqetësimin për këto lëshime. Kam kontaktuar me përfaqësues të Universitetit, studentë dhe monitorues dhe dua të deklaroj se poqese ky proces vazhdon të ketë probleme dhe lëshime, zgjedhjet duhet të anulohen dhe organet kompetente të marrin vendimin që siguron që asnjë studenti nuk i mohohet e drejta e zgjedhjes”, tha Nagavci.

Sipas të dhënave të ORCA-s, deri në orën 12:00 në votim kanë marrë pjesë 6195 studentë votues nga 25 629 votues sa kanë mundësi votimi. Pjesëmarrja në zgjedhje e shprehur në përqindje është 24.17%.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.