​Mustafa: U krijua sinergji për mos t’ia lënë Prishtinën VV-së, ja pse LDK humbi Gjilanin dhe Podujevën

​Mustafa: U krijua sinergji për mos t’ia lënë Prishtinën VV-së, ja pse LDK humbi Gjilanin dhe Podujevën

Prishtina ishte ndër komunat që përmbysi rezultatin në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021. Kandidati i LDK-së, Përparim Rama mori 15 mijë vota më shumë se më 17 tetor dhe la mbrapa kandidatin e Lëvizjes, ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për t’u konfirmuar si kryetar i ri i kryeqytetit.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se në këto zgjedhje u krijua një sinergji, jo vetëm e LDK-së, por edhe e subjekteve të tjera opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Vetëvendosjes.

Mustafa për KosovaPress thotë se sinergjia nuk ishte vetëm si rezultat i vlerësimit të qeverisjes së VV-së në Prishtinë por edhe i frikës nga Vetëvendosje për instalim të një pushteti, siç thotë ai, arbitrar në nivel qendror dhe lokal.

“Sivjet u krijua një sinergji jo vetëm e LDK-së por edhe e subjekteve të tjera opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Vetëvendosjes. Kjo sinergji, vlerësoj se nuk ishte vetëm rezultat i vlerësimit të qeverisjes së VV-së me Prishtinën për rreth një mandat e gjysmë por edhe i frikës nga VV-ja. Frikë kjo e instalimit të një pushteti arbitrar në nivel qendror dhe lokal, duke e patur parasysh se aktualisht VV ka krejt pushtetin: Qeverinë, Parlamentin dhe Presidenten. Tani po tenton ta marr edhe shtyllën e drejtësisë përmes një Vetingu të kundërshtuar nga BE”, tha Mustafa.

Prishtina, sipas Mustafës, është qeverisur më së miri në kohën e LDK-së. Ai përmend edhe faktin që në zgjedhjet e kaluara Arban Abrashi nuk u bë kryear për 300 vota.

“Prishtina pa asnjë dyshim është qeverisur më së miri, kur e ka qeverisur LDK-ja. LDK në vazhdimësi ka patur përkrahje të prishtinasve. Në zgjedhjet e kaluara Arban Abrashi fitoi rreth 42000 vota në raundin e dytë, i munguan më pak se 300 vota për të fituar”, vijoi Mustafa për KosovaPress.

Mustafa shprehet se komunat e fituara nga LDK por edhe nga partitë e tjera opozitare paraqesin fitore të madhe për demokracinë e vendit.


“Prishtina dhe komunat e tjera të fituara nga LDK dhe partitë e tjera opozitare paraqesin fitore të madhe për demokracinë e vendit dhe për balancimin e forcës qeverisëse”, tha Mustafa.

Gjilani dhe Podujeva ishin në garë të ngushtë me kundërkandiadtët nga Vetëvendosje, por që në fund LDK humbi dy këto qytetet. Në Gjilan dhe në Podujevë kryetarët do të jenë nga subjekti i Kurtit.

Sa i përket humbjes së Gjilanit nga LDK që në krye të saj ishte Lutfi Haziri, Mustafa tha se këtë herë nuk u vlerësua puna e ish-kryetarit Haziri por dëshira për ndryshime.

“Gjilani dhe Podujeva është dashur të fitohen nga LDK. Z. Haziri ka bërë një punë të mrekullueshme në Gjilan, por kësaj radhe nuk u vlerësua puna por dëshira për ndryshime”, theksoi Mustafa për KosovaPress.

E në Podujevë sipas Mustafës zbriti i gjithë arsenali i Qeverisë. Ai thekson se kryeministri theu heshtjen zgjedhore e që përmes kësaj VV fitoi edhe vota. Për të gjithë këtë, sipas Mustafës, do të duhet të anulohej votimi atje.

“Në Podujevë zbriti krejt arsenali i Qeverisë, që nuk ndodhi as në Prishtinë. E thyen heshtjen zgjedhore, dhe VV fitoi vota edhe me thyerjen e këtij rregulli. Në fakt unë ndaj opinionin se është dashur të anulohen votimet atje për shkak të shkeljes së tillë nga Kryeministri. Në përgjithësi LDK ka performuar me sukses në këto zgjedhje pas një rezultati aksidental të 14 shkurtit”, nënvizoi Mustafa për KosovaPress.

Zgjedhjet lokale e nxorën Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) fituese në Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Junik, Fushë Kosovë e Dragash. Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, rezultatin e këtyre zgjedhje e ka quajtur arritje të madhe. Përpos 8 komunave, LDK arriti të marrë edhe mbi 170 mijë vota për asamble.

Lexo edhe

Video

error: