​Musliu: Me paratë e pensionistëve, mjekëve e policëve Kurti pagoi rrymën në veri

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë sot në seancë plenare se është e turpshme për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti e cila ndali ndihmat e pandemisë për pensionistët, policët e stafin shëndetësorë dhe ato mjete i shpenzoi për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës.

Për gjendjen e rëndë të krijuar si pasojë e pandemisë, Musliu tha se kjo qeveri jo vetëm se nuk ka dijen dhe guximin që të ballafaqohet me menaxhimin e situatës, po ajo nuk e ka as dijen dhe guximin që të zbatojë Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Ajo tha se vendimin e Qeverisë për uljen e shtesave, janë fyer dhe është zhvlerësuar puna e policëve, punëtorëve shëndetësorë, dhe është prekur dinjiteti i rreth 180 mijë pensionistëve prej tyre 140 mijë pensionistëve bazik që marrin pension social.

“Me vendimin e Qeverisë për uljen e shtesave, janë fyer dhe është zhvlerësuar puna e policëve, punëtorëve shëndetësor, dhe është prekur dinjiteti i rreth 180 mijë pensionistëve prej tyre 140 mijë pensionistëve bazik që marrin pension social. Le ta dijnë edhe qytetarët se rreth gjysmë milionë euro mbështetje për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, Inspektorët e AVUK-ut, Doganave dhe ATK-së janë anuluar nga qeveria Kurti. Janë ndarë vetëm rreth 4 milionë euro për shtesa për sektorët e rrezikuar direkt nga pandemia, pra sektorin shëndetësor, ndërkaq më herët ishin paraparë 11 milionë euro. Pra, rreth 7 milionë euro më pak”, tha Musliu.


Deputetja e PDK-së tha se e ka marrë me shqetësim këtë vendim të qeverisë Kurti dhe e konsideron skandaloz, dhe një goditje të madhe ndaj heronjve të pandemisë, mjekëve e punëtorëve shëndetësorë, ndaj gjyshërve tanë, e ndaj policëve që mbajnë rendin dhe zabtojnë ligjin çdo ditë.

Musliu tha se me këtë logjikë, Qeveria Kurti po i lë pa përkujdesje shtetërore mjekët, punëtorët shëndetësorë e pensionistët, si disa nga kategoritë më të rrezikuara nga pandemia.

Sipas saj, mungesa e dorës së shtetit po ndjehet çdo ditë dhe në çdo familje të Kosovës, ndërsa kujtoi vendimin për të paguar rrymën në veri të vendit.

“Ky pushtet para 1 muaji ndali shtesat prej 30 euro për pensionistët ndërsa një javë më pas mori vendim për t’i ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës në veri të vendit. Pra qeveria Kurti 1 dhe Qeveria Kurti 2 ka ndarë në total 21 milionë euro për vitin kalendarik dhjetor 2020 – dhjetor 2021. Këto para të ndara nga buxheti i Kosovës fatkeqësisht po e mirëmbajnë krimin në veri të vendit dhe strukturat paralele atje si dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale për prodhimin e kriptovalutave ku kohëve të fundit ka një rritje të madhe. Pra, kemi një qeveri dhe parti si Lëvizja Vetëvendosje që i nënshtrohen pa kushte ndaj Serbisë e strukturave kriminale atje edhe pse për 20 vjet e kanë gojën plot kundër Sebrisë”, shtoi Musliu.

Lexo edhe

Video