​Murati tregon pse nuk janë shpërndarë 90 milionë eurot e zotuara për energjinë

Intervistimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i ka mbetur në gjysmë, komisionit hetimor për krizën energjetike të premten. Mbledhja në mungesë kuorumi u ndërpre pasi deputetët e LVV-së lëshuan sallën, si pasojë e një përplasjeje mes deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

Gjatë intervistimit për sa zgjati, ministri Murati e konsideroi të domosdoshme ndarjen e mjeteve për subvencionim të importit të energjisë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Ai tha se 20 milionëshi i ndarë për KEK-un ka qenë i ligjshëm dhe i nevojshëm, pas rënies së një bllokut B në KEK.

“Në kuadër të funksioneve që kemi duhet të marrim veprimet e nevojshme që të sigurohemi që në atë kohë, sidomos në muajin dhjetor, kur kishte një situatë të rënduar në nivel global, sidomos në kontinentin evropian krizë energjetike. Çmimet ishin tepër të larta dhe anën tjetër kishim edhe një rënie të një blloku të termocentralit Kosova B. Pra ishte e nevojshme të mbështetej importi që të sigurohej furnizimi i rregullt me energji elektrike…Pra ishte një vendim i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohej edhe mbarëvajtja e ekonomisë së vendit dhe jetës së përditshëm të qytetarëve që të kenë furnizim me energji elektrike”, tha ai.

I pyetur nga deputetët, Murati tregoi pse nuk janë shpërndarë edhe 90 milionë eurot të zotuara për energjinë.

“Mjetet nuk janë ndarë është një zotim i qeverisë, pra nuk ka ndarje. Zotimi ka qenë në kuadër të diskutimeve dhe konsultimeve që janë bërë të  task-forcës dhe synimit që Qeveria e Kosovës të mbështesë qytetarët që mos të ketë tarifa të papërballueshme…18:03Shuma që kemi marrë përsipër si Qeveri e Kosovës është 90 milionë euro për vitin tarifor. Ky zotim i qeverisë qëndron dhe qeveria nuk i mbetet borxh askujt, pasi shteti vazhdon të qëndrojë. Zotimi ka qenë 90 milionë dhe zotimi qëndron për vitin tarifor. Ndarjet e këto janë çështje teknike dhe metodologjisë së përcaktuar ndërmjet akterëve që pajtohen për të zbatuar një metodologji, a bëhet me këste, muaj për muaj apo si. Kjo është çështje teknike pastaj”, shtoi Murati.

Pas këtyre përgjigjeve në debat e sipër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e quajti spekulante, deputeten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lilën.

“Unë e kam shumë të vështirë të drejtën me u barazu me spekulime dhe me gjithçka tjetër të zonjës Kusari, prandaj pajtohem se për spekulim kjo është kampion. Kampion je, ju jeni spekulante më e madhe e këtij legjislativi në Parlament”, tha ai.


Deputetja Kusari-Lila e quajti të papranueshëm këtë etiketim dhe më pas në shenjë revolte, bashkë me deputetë të tjerë të LVV-së, lëshuan mbledhjen.

“Nëse fillojmë me etiketime dhe kategorizime ne e lëshojmë komisionin hetimor dhe nuk marrim pjesë. Zotëri Shala jeni koleg deputet dhe të quajturit me emra dhe etiketime është e tepruar. Unë thash pyetje spekulative, s’ju thash juve spekulant. Unë s’bëj pyetje spekulative, ju bëni. Rri uluni aty. Zotëri Shala ndaleni këtë mënyrë patronizuese, s’jeni as profesor i imi dhe as nuk jeni në një pozitë kur mundesh me i thënë një deputeti ‘uluni aty’ apo ‘ngrituni’”, tha ajo.

Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti Shala para mediave tha se këto janë vetëm pretekste të mazhorancës për t’i ikur përgjegjësisë.

“Kjo është orvatje për t’i ikur përgjegjësisë. Të gjitha të tjerat nuk mundet të arsyetohen nga ndërhyrjet e kolegëve derisa na po bashkëbisedonim në mënyrë normale me ministrin. Nuk ka përgjigje për paranë, metodologjinë e shpërndarjes, s’ka përgjigje për raportin konsultativ, s’ka përgjigje për ndërhyrjet politike që kanë bërë në ZRrE”, tha ai.

Ndërsa, deputeti tjetër i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ministri Murati nuk ishte në gjendje të përgjigjet konkretisht për asnjë pyetje të deputetëve.

“Ministri i Financave nuk ishte në gjendje me u përgjigj në pyetjet e tilla. Ne kërkonim për shpenzimet e mjeteve dhe borxheve që ka Kosova karshi importuesve të energjisë. Ai na fliste për metodologjinë dhe mënyrën si do të bëhen. Ne po shohim se nuk ka një gatishmëri që ministri të jep llogari për punën e tij”, theksoi Tahiri.

Kjo mbledhje mbeti që të vazhdojë një herë të tjetër, kur të vendoset bashkërisht mes kryetarit të komisionit dhe ministrit Murati.

Lexo edhe

Video