​Mungesa e kuorumit, nuk miratohet Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të kalojë Projektligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme në mungesë kuorumi. Të njëjtin projektligj i dhanë mbështetje dhe partitë opozitare të cilat thanë se do të japin rekomandime shtesë në mes të dy leximeve, por numri i ulët i deputetëve në sallë bëri që i njëjti të mos kalojë në seancën e së enjtes.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci derisa kërkoi mbështetjen për projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, tha se nga viti i ri shkollor 2023-2024 do të bëhet obligativ edukimi i hershëm për moshat 5-6 vjeç.

Ajo tha se ky projektligj synon që të promovojë zhvillimin tërësor tek fëmijët duke përfshirë një qasje të integruar në edukimin, shëndetin dhe mirëqenien e secilit fëmijë.

“Kemi përfshirë në këtë projektligj edhe format e reja alternative të organizimit të edukimit në moshën e hershme të cilat synojnë të rrisin synojnë edukimin e fëmijëve në moshën 0-6 vjet, ndër të tjera këtu do të veçoja institucionet parashkollore brenda institucioneve qendrore a lokale si model i ri i ofrimit të shërbimeve në këtë nivel të shërbimit. Institucionet apo çerdhet bazë në komunitet dhe format tjera alternative… risi tjetër është edukimi parafillor nga mosha 5-6 vjet që aktualisht funksionon në kuadër të shkollave fillore dhe institucioneve parashkollore të bëhet i obligueshëm për të gjithë fëmijët e kësaj moshe që nga viti 2023-2024 duke rritur kështu përfshirje e fëmijëve në nivelin parafillor që aktualisht e kemi 88% me synimin që ta arrijë 100%”, theksoi ajo.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri shprehu përkrahjen për këtë projektligj duke e konsideruar edhe si nismë të rëndësishme për sistemin arsimor.

Sipas tij ky projektligj nuk dallon shumë nga ligjet që janë në fuqi për edukim të hershëm.

“Kur e shohim këtë projektligj dhe e krahasojmë me ligjet në fuqi për edukimin parashkollor dhe e krahasojmë me projektligjin në esencë nuk dallon shumë… Këtu duhet të ketë një përcaktim të qartë të Qeverisë së Kosovës që të krijojë mundësi buxhetore dhe ky të jetë një obligim që do të jetë edukimi i hershëm për të gjithë fëmijët e Kosovës”, u shpreh ai.


Mbështetjen për këtë projektligj e dha edhe LDK, me ç’rast deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi tha se kontributin e tyre do ta japin në fazat gjatë dy leximeve.

“LDK e përkrah në parim projektligjin për edukimin në fëmijën e hershëm ndërsa, kontributin tonë do ta japim gjatë fazës së shqyrtimit të amendamenteve mes dy leximeve”, u shpreh ajo.

Si dy partitë tjera opozita edhe AAK e ka mbështetur projektligjin për edukim në fëmijërinë e hershme.

“AAK e përkrah në parim ligjin për edukimin në fëmijërinë e hershëm dhe do ta japim kontributin në lexim të dytë”, u shpreh ajo.

Deputeti i PDK-së, Ablerad Tahiri u interesua të di më shumë për premtimin e qeverisë për ndërtimin e 160 çerdheve.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se gjatë javës do të fillojnë ndërtimin e 5 çerdheve të reja, por që janë duke punuar edhe në renovimin e disa hapësirave të tjera.

“Gjatë javës do të fillojmë me ndërtimin e 5 çerdheve të reja, shumë shpejt brenda 1 jave pas kësaj me fillim të tetorit jemi duke punuar në renovimin e hapësirave që janë në komunat që mund të adaptohen për çerdhe dhe deri në fund të vitit do të finalizojmë 3 çerdhe , 1 në Prizren dhe 1 në Suharekë“, u shpreh Nagavci. 

Në fund, në mungesë të kuorumit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbylli seancën dhe punimet e njëjta do t’i vazhdojë të hënën në orën 11:00.

Lexo edhe

Video