​Miratohet programi i shpenzimeve prill-qershor për RTK-në, debate për punësimet

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka miratuar në mbledhjen e sotme raportin për shpenzimet e Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2021. Miratimi i këtij raporti është bërë me kushtin që RTK të njësojë format e raportimit dhe t’i përshtat projeksionet.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, tha se po e miratojnë vetëm për shkak që kanë afat vetëm deri të premten për ta miratuar alokimin e mjeteve për tre muajt e ardhshëm, në të kundërtën ai tha se një raport i tillë nuk do të kishte përkrahjen e Grupit Parlamentar të LVV-së.

“Pas analizës së projeksionit të vitit 2021 me planin e shpenzimit ende vazhdon mospërputhjet e njëjta, nuk jemi ne në një pozicion për momentin edhe pse jemi goxha të përkushtuar që të sigurohemi se çdo para publike shkon në vend dhe ashtu siç është paraparë dhe është miratuar në kuadër të ligjit nuk kemi kohë të mjaftueshme as për të vazhduar tutje, sepse pasnesër e kemi afatin e fundit ligjor për alokimin e mjeteve. Ne ta bëjmë një rekomandim që të alokohen me kusht që në kuadër të grupit punues të përcaktohet se cili do të jetë formati i punës; 2: Të njësohen projeksionet e vitit 2021 me projeksionet që i keni tash dhe; 3: Me kushtin që pastaj në raportin e ardhshëm financiar me formatin e ri të futen shpenzime që nga janari-qershor”, tha ai.

Po në këtë mbledhje të komisionit është miratuar edhe raporti i shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për muajt janar-mars 2021, por që edhe ky raport është miratuar me vërejtje.

Drejtori i RTK-së Ngadhënjim Kastrati, ka deklaruar se aktualisht borxhi i RTK-së është 2 milionë e 750 mijë euro, por që tha se synojnë që të njëjtin ta zvogëlojnë për 1 milion euro deri në fund të këtij viti.

“Nëse e shohim në pasqyrat financiare të auditorit të cilat janë publike kemi një borxh në fund të vitit 2018, 5 milionë e 200 mijë euro, sot kur e kemi dhënë raportin e përfunduar të muajit mars që e kemi dërguar në Kuvend është një borxh prej 2 milionë e 750 mijë euro. Është rreth 2 milionë e gjysmë më pak, ne besojmë që deri në fund të këtij viti borxhi i RTK-së ka me ra edhe për një milion euro”, tha ai.

Menaxher i kontabilitetit në RTK, Halil Bajramaj, tha se borxhi i RTK është krijuar prej momentin kur është ndërprerë kontrata me parapagim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e që tha se ky borxh më pastaj vetëm sa ka shkuar duke u thelluar.

“Borxhi është krijuar prej momentit kur është ndërprerë kontrata me parapagim përmes Gjykatës Kushtetuese, do të thotë 30 shtator 2009, për tre muaj tetor, nëntor, dhjetor nuk kemi pasur marrëveshje me parapagimin në këtë rast me KEK-un, prej aty kanë filluar borxhet. Borxhi është thelluar edhe më shumë në 2011 për shkak se në 2010 na u kanë ndarë prej buxhetit 10 milionë e gjysmë, ndërsa në 2011 na u kanë ndarë 2 milionë e gjysmë më pak”, tha ai.

Mirëpo, kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, tha se në RTK prej viti 2012 shpenzimet për paga kanë dalë jashtë kontrollit.

“Një problem tek RTK, prej vitit 2012, shpenzimet në paga kanë dalë jashtë kontrollit, do të thotë ky është dallimi, 2012 është kyç se kanë filluar shpenzimet në mallra dhe shërbime dhe investime kapitale me ra, kurse shpenzimet në paga kanë ardhur non-stop duke u rritur. Po e pranoj që vitin e kaluar ka pasur reduktime, ne i shikuam të dhënat, por për neve ishte pak e shpjegueshme pse kur nuk ka pasur rritje të të hyrave të marketingut ndërkohë që numri i punëtorëve në marketing është rritur prej 2 në 14. Nëse nuk ka pasur të hyra shtesë për RTK numri i punëtorëve në drejtorinë e përgjithshme është rritur nga 8 në 34”, tha ai.

Çështjen e pagave e ka pranuar drejtori i RTK-së Ngadhënjim Kastrati, por që tha se në këtë ndikon edhe rritja e pagave që bëhet sipas ligjit dhe avancimet.

“Sa i përket pagave është e vërtetë se ato janë publike të dhënat, por nëse e shohim për shembull vitin 2019 dhe 2020, pastaj edhe vitin 2021, ka një rritje, nuk po them që nuk ka rritje pavarësisht që nuk kemi punësuar, do të thotë për dy vite janë më shumë se 60 persona që nuk janë në punë, nuk kanë kontrata me RTK-në për shkak se disa kanë dalë në pension, disa kanë vdekur. Ndërkaq, ne kemi pasur vetëm një konkurs dhe janë punësuar 15 veta. Ajo që sigurisht e rrit është rregullorja dhe ligji, çdo vit punëtorët e RTK-së u rritet paga 0.5 përqind dhe kur e merr atë numër të madh të punëtorëve sigurisht se vjen deri tek një rritje e shumës. Po ashtu, me ligj dhe me rregullore u takon punëtorëve që pas një përvoje të madhe të punës edhe të avancohen, sigurisht që edhe kjo e ka një kosto”, tha Kastrati.

Temë e diskutimit në këtë komision sërish u bë punësimi i dhëndrit të kryetarit të bordit të RTK-së, Sali Bashota në këtë institucion.


Deputeti i LVV-së Visar Korenica tha se dhëndri i Bashotës ka pasur kontratë për shërbime nga 1 gushti deri më 31 dhjetor, e kjo ai tha se është konflikt interesi.

“Ju keni shkel ligjet e vendit tonë, ligjin për zyrtarët publikë. Pra, dhëndri juaj ka pasur kontratë për shërbime nga 1 gusht deri në 31 dhjetor, e ky është konflikt interesi i nderuar kryetar. Ju si kryetar i bordit duhet të jeni shembull për të tjerët dhe konsideroj se ju keni shkelur ligjin për zyrtarët publikë për konflikt interesi”, tha ai.

Në përgjigjen e tij, kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota, tha se e kishte thënë edhe javën e kaluar që asnjë familjar i tij nuk punon në RTK. Derisa tha se nuk ka pasur asnjë ndikim që dhëndri i tij të punësohet në medium publik, por tha se ka shkuar me një lidhje tjetër.

“Unë nuk kam bërë kontratë me dhëndrin tim, po të kisha bërë unë kontratë, a besoni që kam menduar që 4 muaj ka qenë, ai kishte qenë 5, mandej e kam verifikuar. Faktikisht nuk e ka vazhduar kontratën edhe unë nuk jam marrë me punë të kontratës, po të kisha bërë kontratë unë me dhëndrin tim vërtetë do të ishte dhe ka shkuar në një lidhje tjetër jo që unë kam ndërhyrë as jam marrë me atë punë. Ndoshta nuk është dhëndri im shembull në institucionet e Republikës së Kosovës që është i vetmi i punësuar ose familjar që është. Po më duket se po e teproni me këtë, keni ra në një lajthitje shumë të keqe, më vjen keq. Forma që ju insistoni në dy mbledhje të vazhdueshme të më atakoni në këtë mënyrë është e paprecedentë nga një deputet në Republikën e Kosovës, më vjen keq edhe e kuptoj edhe një formë shantazhi edhe si lëndim për personalitetin tim akademik”, tha ai.

Ndaj deklaratës së Bashotës se dhëndri i tij është punësuar përmes lidhjeve të tjera ka reaguar deputeti i LVV-së, Eman Rramani, i cili nuk ka marrë përgjigje nga Bashota se përmes cilave lidhje është punësuar dhëndri i tij në RTK.

Përplasje ka pasur edhe mes deputetit të LVV-së Visar Korenica e drejtorit të RTK-së Ngadhënjim Kastrati. I pari ka pyetur se a ka menaxhmenti i RTK-së plan për zvogëlimin e numrit të punëtorëve për shkak të mbipopullimit me punëtorë në këtë institucion.

Në përgjigjen e tij, drejtori i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati, tha se ka në plan të rris numrin e punëtorëve dhe të zhvillojë edhe më shumë programin.

“Jo, unë e kam plan për të punësuar dhe për të zhvilluar edhe më shumë programin, planin unë po ta tregoj tash ti nuk mundesh të më tregosh çfarë plani kam unë. Plani im është të rrisë numrin e punëtorëve”, tha ai.

Pas kësaj deklarate ka reaguar deputeti i LVV-së, Visar Korenica, i cili tha se kjo është strategji se si të rehatohen familjarët dhe jo si të rriten të hyrat e RTK-së.

“Ju keni përgjegjësi publike, jeni duke e menaxhuar një ndërmarrje publike, është e pakuptimtë në bazë të vlerave dhe statistikave të të hyrave të thoni këtu që ‘unë jam duke e shikuar qysh me e rrit numrin e punëtorëve dhe jo qysh me e rrit numrin e të hyrave’. Nuk është kjo strategjia e një drejtori, kjo është strategjia si të rehatohen të afërmit dhe familjarët, që një praktikë e tillë ne e dimë krejt që ka ndodhur në RTK, ne kemi aty burrë e grua të punësuar”, tha Korenica.

Në fund të diskutimeve, deputeti i LVV-së Artan Korenica, ka pasur një pyetje edhe për ish-kryeministrin e Kosovës dhe tashmë deputetin Avdullah Hoti, por që nuk ka marrë përgjigje nga ai. Hoti ka refuzuar të përgjigjet duke thënë se ai nuk është në raportim.

“Kam një pyetje për z. Hoti, në lidhje me rastin, ka të bëjë me bordin dhe me RTK-në. Me 12 nëntor keni bërë një deklaratë lidhur me përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së që ka qenë i emëruar në mënyrë joligjore dhe ashtu keni thënë që bordi është jofunksional, gjithashtu keni thënë shpenzimet e kalkuluara të borxhit nuk kanë qenë të sakta, vetëm a qëndrojnë këto konstatime ende nga ana juaj a jo”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar buxhetin për Komunën e Mitrovicës për vitin 2021 dhe raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2020.

Lexo edhe

Video

error: