Ministri për Punët e Jashtme dhe Evropës i Shqipërisë, Igli Hasani, reagoi pas ngjarjes së rëndë në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa mbeti i plagosur polici tjetër Alban Rashiti.
“Dënojmë me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës. Ngushëllimet tona për familjen e oficerit të Policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe shërim të shpejtë efektivit të plagosur”, shkroi Hasani në rrjete sociale.
Ai tha se Shqipëria është në krah të Kosovës ndërsa autorët duhet të dalin para drejtësisë.
“Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”, vijoi Hasani.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.