​Mes tensionesh e akuzash Hajdari raporton për investitorët strategjikë

Me tensione, akuza dhe kundër akuza është zhvilluar raportimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin parlamentar për Ekonomi. Deputetët e pozitës dhe opozitës janë përplasur në lidhje me investitorët strategjikë në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ndërsa ka kritikuar ministren e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari për “vonimin dhe stërzgjatje 2-vjeçare të shqyrtimit të 44 aplikacioneve për statusin e investitorit strategjik”, deputeti nga VV-ja, Armend Muja ka pyetur Shalën se a ka interesa të ngushta familjare me kompaninë garuese “Moxikoluma”.

“Për mua një shqetësim ka qenë, që nga fillimi i këtij Komisioni, është pikërisht tek kompania ‘Moxikolumo’, kryetar ke pasur një fokus të veçantë tek kjo kompani. Pyetja ime, është a keni ju konflikt interesi ose interes drejtpërdrejt tek kjo kompani? Sepse në Shalën e Bajgores ku planifikohet, të gjithë mua më kanë raportuar, banorët, që ju keni interesa të drejtpërdrejta, që nga ish-asistenti i juaj që është drejtor, djali i vëllait tuaj që ka bërë studimin, dhëndri i Ferat Shalës që ka dhënë lejen e pëlqimit mjedisor. Pra, këto janë interesa për Shalën e Bajgores. A mund të na thoni që janë të vërteta”, theksoi Muja.

Fillimisht deputeti Shala ka refuzuar të përgjigjet dhe theksoi se kjo është shpifje dhe tentativë për të devijuar raportimin e ministres Hajdari.

“Po nuk të përgjigjem unë ty, këto janë krejt shpifje tujat. Edhe nuk të përgjigjem, mjafton kaq. Shpifje të juaja dhe insinuata. S’mund të devijoni debatin nga kjo, badihava, kot e ke. Për ‘Kosmonte’ po pyes. Mos u ngutuni, deri në fund unë jam i gatshëm për të biseduar. Nuk po ikim”, theksoi Shala.

Sërish pas dy ore, në fund të mbledhjes, pati përplasje midis këtyre dy deputetëve, ku u përfshi edhe deputetja Mimoza Kusari Lila.

Deputeti Muja ka insistuar të marrë përgjigje nga deputeti Shala për çka tha se këtë rast do ta dërgoi edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion.

“Pyetje drejtpërdrejt për kryetarin a ka konflikt interesi në këtë projekt. Nëse ka është mirë të përgjigjeni para publikut. A keni konflikt interesi?”, pyeti sërish Muja deputetin Shala.

Në fund deputeti Shala nuk pranoi se ka konflikt interesi, por akuzoi deputetin Muja pa u bërë shumë e qartë kjo.

“S’ka hiç, dërgoje. Nuk kam, për ata po them futi edhe shumarët (rojet e pyjeve) të Shalës së Bajgores dhe shiko mos po del ti diku aty, madje edhe më rëndë se sa kaq. Është e drejt e imja të përgjigjem. Atë e dinë Armend Muja, nuk e din ti (deputetes Mimoza Kusari Lila). Nuk mund të na diktoni agjendën tash me lojëra të tilla. Nëse ai përmend emra të specialistëve, të profesorëve universitarë me tendencë, pa asnjë konflikt interesi. Unë kam të drejt të përmend emrin e shumarit që e ruan parkun, bjeshkën”, theksoi Shala.


Përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës edhe ndërmjet deputetit Pal Lekaj të AAK-së dhe deputetit të VV-së Driton Hyseni.

Lekaj akuzoi VV-në se në opozitë kanë ulëritur për mungesë të investimeve.

“Për mua shqetësuese kam qenë në disa vizita jashtë vendit, ende mendojnë që këtu në Kosovë duhet investitorët të vijnë me pancir, se ende ekziston luftë. Po ju tregoj, që para tre ditësh. Më falni unë po them që ju s’jeni askund me informim. Edhe s’jam duke folur me juve (deputet Hyseni). Nëse dëshironi me u fut në polemikë, hyjmë edhe për luftë, edhe për paqe, investime, edhe të për të gjitha. Por, po e them, që na keni lodhur… për mua të vijë një ministre pas 18 muajve që keni ulëritur, dhe keni thënë që për 20 vjet s’ka pasur aplikacione për investime strategjike dhe tani prapë refrenin e njëjtë, është e pakuptimtë dhe nëse vazhdoni kështu unë nuk shoh dritë sa i përket investimeve strategjike në Kosovë”, theksoi Lekaj.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti nga VV, Driton Hyseni, i cili tha se Lekaj është kontradiktor.

“…Në të njëjtën kohë po thoni që duhet të vini me pancirë. Kështu je në kontradiktë totale”, theksoi Hyseni.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë këtij raportimi tha se 44 kompani kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik.

Ajo duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës këto aplikacione, tha se nuk mund të shkojë në burg për një aplikacion që është i jashtëligjshëm.

“Unë nuk mund të shkoj në burg për një aplikacion që është jashtëligjshëm në sektorë që nuk i përket investimeve strategjike. Unë po ofrojë mundësinë që të plotësojnë kriteret dhe të vijnë në Komision. Kjo është detyrë e atij Komisioni që t’i trajtojë me kujdes, me maturi, dhe jo me një katrahurë si e kemi trashëguar”, theksoi Hajdari.

Po ashtu kryetari i Komisionit, Ferat Shala, është shprehur i befasuar se si ministrja Hajdari komunikon me investitorët potencialë në Whatsapp.

“Keni komunikim të vazhdueshëm, i kam përcjellë edhe prononcimet e juaja mediale që komunikoni edhe në Whatsapp. Ka qenë për mua befasi, si ka mundësi në nivel të ministres komunikon me investitorët në Whatsapp dhe kush ju këshillon që investitorët strategjikë të komunikoni me rrjete sociale”, ka pyetur Shala ministren Hajdari.

Ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, e ka pranuar se komunikon me investitorët potencialë strategjikë në Whatsapp. Por ajo ka shtuar se konfirmimet janë të shkruara përmes emailit./I. Shabani/

Lexo edhe

Video