​Mes polemikave, KQZ certifikon rezultatet për kryetar të Prizrenit dhe Kllokotit

Komisioni Qendror Zgjedhor, mes polemikave ka certifikuar rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prizrenit dhe Kllokotit. Pretendimi i Lëvizjes Vetëvendosje se ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për parregullsitë në Prizren e vuri në dyshim certifikimin e rezultateve në këtë komunë. Mirëpo, kryesuesi i KQZ-së dhe anëtarët e tjerë e mohuan një gjë të tillë dhe proceduan tutje.

Përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, Alim Rama, u shpreh i vendosur se kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, por nuk ofroi dëshmi për një gjë të tillë.

Ai tha se për shkak të kësaj ankese certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve në Prizren duhet të shtyhet.

“Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme. Ju kam dhënë dëshminë e dëftesës dhe postës. Tash për shkaqe administrative ne nuk mundemi me proceduar për certifikimin e rezultateve për Prizrenin”, tha ai.


Këtë e kundërshtoi anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, i cili tha se ankesa e tillë është mohuar nga Supremja.

“Rendit të ditës duhet t’i përmbahemi në bazë edhe të dokumenteve që na kanë ardhur nga Gjykata Supreme. Ndër të tjera në shkresën e dërguar zyrtarisht, thotë se Gjykata Supreme nuk ka asnjë ankesë dhe jeni të lirë të certifikoni rezultatet e komunës së Prizrenit dhe Kllokotit. Ne s’kemi çfarë të presim”, shtoi ai.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Sot kemi pranuar një konfirmim nga Gjykata Supreme që nuk ka ankesë për shqyrtim deri në orën 11:00 të datës sotme. Unë nga z. Rama kam pranuar një dëftesë për pranimin e dërgesës e cila ka një numër serik, ka numrin e pranimit dhe mbanë datën 24.11.2021. Sipas Alimit pretendohet që është dorëzuar ankesa në Gjykatën Supreme. Pas pranimit të këtij dokumenti, kemi kontaktuar me Gjykatën Supreme, e cila po ashtu ka kontaktuar me postën, por nuk ka mundur të konfirmojë që ekziston kjo dërgesë, apo ankesë. Keni parasysh se prej datës 24 dhe deri më sot janë shtatë ditë. Gjithashtu më duhet të theksoj se në këtë dëftesë nuk theksohet me ankesë, por dërgesë të letrave, marrësi ‘Gjykata Supreme’, adresa ‘Hajvali’. Nuk mundem me kuptu prej kësaj shkrese që kemi të bëjmë me një ankesë”, theksoi ai.

Me gjithë paqartësitë, KQZ-ja me tetë vota pro vendosi për certifikimin e rezultateve në Prizren. Zgjedhjet lokale të raundit të dytë janë mbajtur më 14 nëntor.

Lexo edhe

Video

error: