Dy ditë pas vrasjes, trupi i shtatzënës që po priste të sillte një jetë të re, u varros në varrezat e reja në Lugaxhi të Lipjanit.
Familjarë, të afërm e të shumtë qytetarë kanë marrë pjesë në varrimin e Hamide Magashit, e cila u vra në oborrin e Gjinekologjisë. 35-vjeçares nga Lipjani i është dhënë lamtumira e fundit mes lotëve, ku u kërkua drejtësi për këtë vrasje, meqë i dyshuar është ish-bashkëshorti Sokol Halili.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se të gjithë përgjegjësit për neglizhencën e këtij rasti do të dorëhiqen e shkarkohen.
“Secili që ka pasur përgjegjësi në rastin konkret, të cilët nuk i kanë kryer përgjegjësitë që i kanë do të japin dorëheqje dhe do të shkarkohen… Nuk është momenti të flasim për këtë, është momenti që të flasim për këtë, është një moment mjaft i vështirë. Si ministre e Drejtësisë nuk do të ndalem derisa drejtësia për të ndjerën dhe foshnjën që priste ta sillte në jetë të shkojë në vend”, ka deklaruar ajo.
Në varrim ka marrë pjesë edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i cili tha se vrasja e 35-vjeçares është e përmasave shtetërore e jo vetëm lokale.
“Është rast makabër që ka ndodhur, të gjithë jemi pa fjalë, jemi të pikëlluar derisa sa nuk mban më. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe më të dashurit e viktimës. Dhe shpresojmë që drejtësia do ta çojë fjalën deri në fund… Këto janë çështje të strukturave të policisë, gjyqësisë e hetuesisë. Ne jemi në bashkëpunim të plotë dhe do të mundohemi ta japim më të mirën e mundshme që vrasësi të kapet, por edhe të bëhet drejtësia për të”, ka thënë ai.
Safete Luzha, e cila ka punuar bashkë me Hamide Magashin tregon se kishin vërejtur ndryshime tek ajo pas martesës, e cila më pastaj kishte lënë punën.
“Në punë kur vinte, jo ajo Hamidja në kohët e fundit nuk ka qenë. U vërejtke, se diqysh shumë e stresume, e lodhur… U vërejtke që diçka nuk është në rregull Hamidja, por ajo nuk tregonte”, tha ajo.
35-vjeçarja shtatzëne u vra mbrëmjen e së mërkurës, pranë Klinikës së Gjinekologjisë. Ish-bashkëshorti, i cili dyshohet se ka vrarë Hamide Magashin, është njoftuar se ka vrarë vetën.

2 Comments
Komentet janë të mbyllura.