​Mes debatit e paqartësive, KQZ ua mundëson qytetarëve që të votojnë edhe me letërnjoftim të skaduar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), morri të enjten vendim që të pranohen për identifikim të votuesve edhe letërnjoftimet e Republikës së Kosovës të cilave u ka skaduar afati. Ky vendim i KQZ-së vlen edhe për procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, por edhe të votuesve në ditën e zgjedhjeve lokale më 17 tetor dhe në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Anëtarët e KQZ-së erdhën deri tek ky vendim duke u mbështetur në vendimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për zgjatjen për 6 muaj të afatit të përdorimit të letërnjoftimeve për shtetasit e Republikës së Kosovës, por që nuk mungoi debati.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se nuk sheh ndonjë problem që të aprovohet ky rekomandim, pasi është vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme që letërnjoftimet me afat të skaduar kanë vlefshmëri 6 muaj prej datës së vendimit.

“Me e pa se ministri a ka pasur kompetencë për këtë apo jo, kjo është diçka që verifikohet[…] Unë nuk po e di pse sekretariati e ka kaq problem me e zbatu një vendim të ministrit. Unë të paktën kështu po e shoh, që s’kemi problem me e zbatu vendimin e ministrit”, theksoi ai.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi tha se nuk ka arsye as të diskutohet çështja e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimeve.

Ai tha se është detyrë e KQZ-së me ua mundësu të gjithë qytetarëve shprehjen e lirë të votës.

“Prej tetorit të vitit 2019 ky shtet ka problem me sigurimin e letërnjoftimeve, qytetarit edhe sot i thuhet: ‘më fal, s’kam’. Mua po më vjen keq me thënë një emër tjetër, këto janë shenja të këqija për një shtet. Në momentin kur shteti nuk e plotëson një kërkesë që e ka vendos vet dhe më pas thotë ‘s’kam letër me ta dhënë’, në çdo vend të botës gjykata kishte me e dënu shtetin për shkelje të marrëveshjeve në frymën e Kushtetutës, tek ne jo. Këto çështje nuk po du me i diskutu, po du shteti me i rregullu. Ai që është jashtë dhe ai që është brenda nuk guxon me u diskriminu në asnjë çështje”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, tha se nuk është faji i KQZ-së e as i anëtarëve pasi ligji e përcakton që dokumentet e pranimit janë: letërnjoftimi i vlefshëm, pasaporta me afat, patenta e shoferit e vlefshme.


Ai pyeti nëse ministri i Punëve të Brendshme është kompetent për të marrë një vendim të tillë për shtyrjen për 6 muaj të vlefshmërisë së letërnjoftimeve me afat të caktuar.

“Vet ligjvënësi, skadimin e afatit e ka përcaktu si një kriter që e shndërron atë dokument në një diçka të pavlefshme[…]Problemi është qysh kemi me e trajtu një këshill të vendvotimit, i cili thotë se ‘nuk po mund të identifikojë një qytetar sepse ka letërnjoftim të skaduar’, dhe ligji ka thënë kështu[…] Shtrohet pyetja, a është kompetent ministri për një gjë të tillë, ndërkohë që ligji për letërnjoftime e cakton saktë afatin e vlefshmërisë së dokumentit, sepse ligji e përcakton saktë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve, një kategori për 10 vite, një për disa vite më pak dhe kurrëkund nuk thotë që validiteti mundet me u zgjatë. Nuk është problemi i KQZ-së që ne po debatojmë këtu, por i akteve tjera dhe i ligjit. Përndryshe unë jam për rekomandimin”, tha ai.

Kurse anëtari Ilir Gashi tha se kjo çështje nuk do të duhej të trajtohej në KQZ pa kaluar nëpër organet ligjore.

“Mendoj që kjo pret sa i përket qytetarëve që jetojnë në Kosovë, ndoshta iu krijohet mundësi për dokumente valide, Kurse sa i përket pjesës së qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, mërgatës, duhet të jetë e saktë: ‘asnjë qytetarë nuk mund të votojë nëse nuk ka një dokument valid të shtetit ku jeton’[…] Konsideroj që ky rekomandim duhet të hiqet, t’i kthehet Këshillit për çështje ligjore dhe Këshilli të marrë edhe mendime të tjera ligjore dhe të na garantojnë se këto rekomandime janë në përputhje me ligjin special mbi zgjedhjet”, u shpreh ai.

Këtu reagoi Kurteshi, i cili tha se nuk duhet të diskriminohen as qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së, Ibrahim Selmonaj u shpreh se duhet të shtohet presioni që qytetarët të pajisen me dokumente.

“Presioni duhet të shtohet që të pajisen qytetarët me dokumente dhe të mos na sjellin në këso situata kur edhe humbim kohë kot”, tha ai. 

Duke parë se gjatë këtij diskutimi kishte interpretime të ndryshme, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani tha se një gjë e tillë duhet të diskutohet në Këshill të çështjeve ligjore.

Ky vendim i KQZ-së vjen duke u mbështetur në vendimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për zgjatjen për 6 muaj të afatit të përdorimit të letërnjoftimeve për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Lexo edhe

Video