​Mehmeti: Numri i atyre që po braktisin shërbimin në polici është në rritje

​Mehmeti: Numri i atyre që po braktisin shërbimin në polici është në rritje

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedim Mehmeti ka thënë se numri i personave që po e braktisin shërbimin në polici është në rritje nga viti në vit. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, ai ka folur edhe për arrestimet e fundit të policëve për çka ka thënë se ka pasur vërejtje për publikimin e identitetit të tyre.

“Trendi i lëshimit të punës fatkeqësisht nga viti në vit po rritet, nuk i kam tani shifrat e sakta por po vërejmë që po rritet. Vet fakti që e kanë dhënë testin me shkrim 127 veta nuk kanë ardhur në test fizik tregon që kemi probleme të natyrave te ndryshme”, ka thënë drejtori i Policisë.

Ai ka folur edhe për arrestimet e fundit të policëve.


“Policia nuk bënë hetime për policë, nuk ka të drejtë as të përzihet, këto hetime janë zhvillu prej IPK. Nuk mund të flas a e kanë zënë dikë duke kalu drogë, apo para, për shkak se është kompetencë ekskluzivisht e tyre. Mund te ju garantoj që te gjitha informacionet që i kemi pasur rreth kësaj çështje ia kemi dhënë IPK-së. Pjesën tjetër e kanë kryer IPK me prokurorinë, AKI-në, doganën. Ajo çka për mua ka qenë vërejtja që ua kam thënë, nuk më ka pëlqyer mënyra qysh i kanë qitë në publik. Duhet me ua ruajt identitetin, cilitdo qytetar”, ka shtuar Mehmeti.

Ai ka folur edhe për konkursin për rekrutë në Policinë e Kosovës duke u përgjigjur në kritikat dhe ankesat që kanë qenë lidhur me testimin.

Ai ka thënë se nuk kanë kërkuar njohuri akademike nga aplikantët por logjikë policore.

“Kemi dashur te evitojmë faktin qe po marrim policë qe nuk dinë të shkruajnë, drejtshkrim. Ne e kemi testuar sistemin para se me hy në test 5-6 herë. Ditën e parë sistemi ka pasur telashe derisa janë vendosur nëpër klasa, derisa është vendosur një rend, ditëve të tjera sistemi nuk e ka pasur asnjë telashe”, ka thënë ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.