​Mehaj: Kosova duhet t’i ketë mbi 20 mijë rezervistë vullnetarë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se Fondi i Sigurisë është i sigurt dhe në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë të përkrahin këtë nismë të Qeverisë ndërsa ka thënë se askush nuk duhet të bëhet antishtetëror duke punuar kundër këtyre veprimeve. Derisa ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mehaj ka deklaruar që shteti duhet të ketë mbi 20 mijë rezervistë vullnetarë.

Para deputetëve të pozitës dhe opozitës, ministri i Mbrojtjes ka thënë se për arritjen e kapaciteteve ushtarake nuk mjafton buxheti i ndarë por duhet edhe përkrahje përmes Fondit të Sigurisë.

“I gjithë procesi ka qenë i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerë tanë, kështu që ata që qesin lajme të rreme më vjen keq për ta por ne nuk kemi bërë asgjë pa koordinim me partnerë. Ky fond është i sigurt, i hapur në Bankën Qendrore, i kontrolluar nga Ministria e Financave, Thesari dhe Zyra e Kryeministrit, fond më të sigurt nuk kemi pasur asnjëherë. A është i nevojshëm, po, Forca, ushtria dhe policia prodhojnë siguri, e dimë që na u ka shtu buxheti por me i arrit kapacitetet dhe nevojat ushtarake dhe të sigurisë, është i nevojshëm çdo buxhet shtesë për policinë dhe ushtrinë. Ai që punon kundër këtyre veprimeve ai duhet me matë vetën mirë sepse nuk është mirë me qenë antishtetëror, i kisha lutë të gjithë të na mbështesin siç po na mbështesin”, ka thënë Mehaj.

Ai ka thënë se mjetet e mbledhura synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore e cila sipas tij, së shpejti pritet të miratohet nga qeveria.

Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka thënë se vendimi i qeverisë për të mbajtur sekret nga Kuvendi shumën e mbledhur në këtë fond, burimet dhe destinimin, është antikushtetues.

“Pra ky është trend i rrezikshëm të cilin ne duhet me e ndalë sepse Kuvendi i ka mekanizmat demokratik me të cilët e kontrollon qeverinë dhe të bëjë diçka qeveria që paraqet sekret edhe për kuvendin kjo nuk flen, kjo është ndesh me kushtetutën. Prandaj antishteti tash është brenda qeverisë dhe këtij veprimi që ka kryer, prandaj kisha kërkuar që menjëherë të bëhen edhe veprimet ligjore dhe kushtetuese edhe nga Kuvendi dhe të bëhet penalizimi kushtetues i autorëve të kësaj vepre që është mesjetare dhe diktatoriale”, ka thënë Berisha.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka kërkuar unitet sa i përket përkrahjes së këtij fondi.

“Nuk ke nevojë me u ndiku politikisht dhe me dhënë komente se edhe grupi parlamentar i PDK-së nuk janë kundër fondit, kundër shtetit, kundër avancimit dhe kompletimit të ushtrisë së Kosovës por këta kanë ide të tjera qysh kishin mujt me shtu atë fond e me ndihmu ushtrinë, ne si deputetë mundemi me i bë këto por jo përmes teje, nuk ke nevojë ti sepse ty të duhet ai qysh na duhet neve, dhe ti je absorbues… Nuk kam dëshirë prej këtu me dalë duke i përforcuar pozicionet kundër fondit të mbrojtjes e të sigurisë që është për fëmijët tanë. Këtë gabim nuk duam ta bëjmë prej këtu, le të folë në diasporë kush çka do, le të folin ‘sokaqeve çka të duan, fondin e sigurisë nga këtu ne duhet me dalë më mirëkuptim me konsensus për me ecë përpara”, ka thënë ai.

Ministri është pyetur edhe për idenë e ushtrimit ushtarak të obligueshëm.


“Projekti i shërbimit të obligueshëm ushtarak ka qenë premtim elektoral dhe atë qysh në Qeverinë Kurti 1, e di se në atë kohë ministri Quni në pjesën e parë të qeverisjes pati filluar me këtë ide, pat nënshkruar një koncept-dokument dhe më pastaj nuk e di deri ku ka shkuar, po më intereson gjatë këtij viti a ka pasur lëvizje në këtë drejtim për zbatimin apo zhvillimin e kësaj ideje”, ka pyetur deputeti Enver Dugolli.

Ndërsa Mehaj ka deklaruar që është i fokusuar në rezervistët që sipas tij në një të ardhme Kosova duhet t’i ketë mbi 20 mijë.

“Përmes nevojës së ndryshimit të strategjisë së sigurisë aty është harmonizuar edhe nevoja shtetërore sa i përket edhe shërbimit ushtarak një vlerësim që do të bëhet, por unë e kam parë të arsyeshme dhe si nevojë shtetërore që do të jetë edhe ligji për rezervë vullnetare, e shoh se në të ardhmen Kosova duhet ta ketë edhe një rezervë vullnetare mbi 20 mijë vetë që janë në shërbim sipas nevojave. T’i kenë stërvitjet e caktuara brenda vitit, pro në këtë drejtim kam punuar edhe me shiku mundësinë me fut lëndën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe paqes në shkolla të ketë një edukim prej një moshe nëpër shkolla, si e jep ndihmën e parën, si reagon në tërmet apo rreziqe e të tjera”, ka thënë Mehaj.

Për idenë e shërbimit ushtarak të obligueshëm ka reaguar edhe Bekë Berisha.

“Gjeneral thuaj kjo e obligueshme ushtria nuk bëhet burrë dhe e kapërcejmë këtë punë, ka qenë veç fjalë elektorale ministër, dhe e kapërcejmë”, ka thënë ai.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është përgjigjur edhe rreth trendit të largimit të pjesëtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës për çka ka deklaruar që është situata e njëjtë me vitet paraprake.

Gjatë raportimit, Mehaj ka thënë se tri ligjet bazike të cilat e rregullojnë punën e ministrisë, shërbimin në FSK dhe Ligji për formimin e agjencisë së inteligjencës së sigurisë janë në fazën përfundimtare.

Si arritje kryesore Mehaj ka përmendur buxhetin e lartë për FSK-në, avancimin e bashkëpunimit bilateral me shtetet partnere, avancimin e kapaciteteve përmes blerjeve dhe ushtrimeve dhe rekrutimin e 840 ushtarëve të rinj.

Gjithashtu Mehaj ka thënë se janë në planifikim të një procesi të rekrutimit të ri që sipas tij do të mbahet brenda këtij viti për ushtarë dhe civilë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është përcjell edhe me përplasje në mes të deputetëve Salih Zyba dhe Hisen Berisha pasi ky i fundit paraqiti një dokument për të cilin tha se certifikon që të marrë informacione të sigurisë ndërsa të tjerët sipas tij nuk janë të certifikuar që të pajisjen me të dhëna nga ministri i Mbrojtjes.

Lexo edhe

Video