​Me nderime të larta varroset babai i Hysni Gucatit

Në prani të një numri të madh të qytetarëve, në fshatin Morinë të Skenderajt, është varrosur sot Avdullah Gucati, babai i ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili mungoi në ceremoninë e varrimit.

Në emër të familjes foli, Abdyl Imeri, mik i familjes Gucati, i cili ka treguar biografinë e të ndjerit. Ai shtoi se Avdullah Hasan Gucati ka lindur në fshatin Marinë më 7 mars 1939, vjen nga një familje me vlera të mëdha patriotike dhe atdhetare. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20.

Sipas tij, kur Kosova kishte më së shumti nevojë dhe njerëz të fortë, Avdullahu së bashku me djalin Hysniun iu bashkëngjiten radhëve të UÇK-së, përderisa djali Hysniu luftonte në Drenicë, baci Avdullah la mërgimin dhe kthehet në Kosovë, në Koshare deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.

“E vetmja brengë e tij ishte ngritja e aktakuzave ndaj krerëve të UÇK-së , Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, Hysniut, Nasimit, Calit por ishte thellë i bindur se do të kalojmë edhe këtë sfidë si popull i Kosovës sepse thoshte e drejta dhe drejtësia është në anën tonë“, tha ai.

Ndërsa, Ilmi Gucati, djali i të ndjerit për fund ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje, pa dallim.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, shprehi ngushëllimet e tij, ku tha se bashkëndjejnë me familjen Gucati.


“Bashkëndjejmë dhembje për ndarje nga jeta të prindërit tuaj. Ju keni dëshmuar edhe në të kaluarën dhe vazhdimisht qendres dhe merzive me momentet që kanë prekur thellë, ndjenjat tuaja dhe tonat njëkohësisht. Ngjarjeve të cilave iu paraprin urdhri i Zotit janë më lehta të përballueshme se ato që shkaktohen nga qenia njerëzore e të cilat padrejtësisht po i vuajnë sot Hysniu, Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi, Hasimi e shumë bashkëluftëtarë të tjerë që kanë kaluar nëpër këto sfida”, tha ai.

Ushtrues detyre i OVL-së, Faton Klinaku, shprehi ngushëllime familjes në emër të organizatës, duke thënë se është dhimbje e madhe jo vetëm për familjen po për të gjithë.

“Baca Avdullah shquhej për guximin e tij, ishte gjithmonë i gatshëm që të jepej aty ju e kërkonte populli dhe atdheu i tij. Ai ishte luftëtarë në brigadën 138 të “Agim Ramadani”, të UCK-së, periudha pasluftës nuk ishte fare e lehtë, mirëpo baca Avdullah nuk u dorzua përballë sfidave të jetës dhe as përballë shumë padrejtësive të cilat me arrestimin e pjesëtarëve të UÇK-së, ndër ta edhe djali i tij Hysniu”, ka thënë ai.

Bashkëluftëtari Pren Marashi, në emër të brigadës 138 të Agim Ramadanit shprehi ngushëllime familjes ku ka treguar se si i ndjeri nuk ka hezituar t’i bashkëngjitet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e vendit.

“Fjalët e atdheut për çdo burrë duhet të jenë peng, baci Avdullah e kishte lenë fjalën kur vendi rënkonte dhe kishte nevojë si asnjëherë më parë për bijtë dhe bijat e tij. Në pranverën e vitit 1999 ishte shpallur mobilizimi i përgjithshëm nga shtabi i UÇK-së, nga mosha 18-55 vjeçare. Baca Dullë nuk e përfilli kufizimin e moshës por si 63-vjecar, pa hezitim iu bashkëngjit UÇK-së, duke u bërë shembull për rinin por edhe për hezituesit të cilit nuk besonin në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës….Vdekja është diçka e pashmangshme por kur njeriu e kryen obligimin familjar, obligimin ndaj popullit dhe atdheut, atëherë ai njeriu mund të pushojë në paqe, andaj baca Dullë pusho në paqe”, tha ai.

Përndryshe, merret vesh që Gjykata Speciale ka thënë se ende nuk kanë vendos nëse Hysni Gucati do të lirohet përkohësisht për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij dhe në pritjet për ngushëllime.

Lexo edhe

Video