Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesin e Universitetit “Columbia” të Nju Jorkut. Përmes këtij memorandumi ky universitet do ta mbështes Ministrinë e Ekonomisë në zbatimin e strategjisë së energjisë 2022 – 2031 përmes studimeve e hulumtimeve akademike, përfshirë intervista e takime në terren.
Siç u bë e ditur, dy pika të fokusit të hulumtimit e raportit të tyre do të jenë zhvillimi i skemave konkurruese për integrim të burimeve të ripërtërishme në Kosovë si dhe skemave mbështetëse për rritje të efiçiencës së energjisë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se përvoja dhe njohuritë e këtij universiteti mbi zhvillimin e sektorit të energjisë, analizën e të dhënave dhe ligjin ofrojnë përbërjen më të madhe të asaj që kërkon politikëbërja e bazuar në dëshmi të energjisë.
Ajo u shpreh e lumtur që Universiteti “Columbia” përzgjodhi Kosovën për projektin e tyre “Capstone”, për çka tha se do të japin maksimumin për të përfituar nga njohuritë e tyre.
Rizvanolli tha se kjo që po bënë ky universitet nuk është thjesht një ushtrim akademik.
Profesori i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin “Columbia”, Jenik Radon u shpreh se kontributi që do të japin shpreson që do ta ndihmojnë Kosovë në zhvillimin e saj.
Radon u shpreh se Kosova është në një situatë shumë strategjike gjeografikisht kështu që nuk ka zgjidhje tjetër veçse duhet të zhvillohet.
Aktualisht, grupi i studentëve janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë si dhe me të gjithë akterët relevantë për t’u informuar dhe mbledhur informatat e nevojshme për të zhvilluar hulumtimin e studimin e tyre.
Strategjia për energji javën e kaluar është miratuar në Kuvendin e Kosovës.