​Me 25 vjet burgim dënohet Nuhi Mavroqani që vrau gruan e tij me shufër metalike në Kamenicë

​Me 25 vjet burgim dënohet Nuhi Mavroqani që vrau gruan e tij me shufër metalike në Kamenicë

Nuhi Mavroqani që vrau me shufër metalike gruan e tij në Kamenicë është dënuar me 25 vjet burgim.

Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar për shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Nuhi Mavroqanit.

Ngjarja tronditëse ndodhi më 25 korrik të 2020-ës.

“I akuzuari dyshohet se me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë, duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse për viktimën”, thuhet në aktgjykim.

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).


Në komunikatën për medie thuhet se “Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, në përbërje të kryetarit, Sabedin Mushica dhe anëtarëve Agim Ademi dhe Naser Maliqi, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite burgim”.

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Kujtojmë që Nuhi Mavroqani fillimisht ishte dënuar me burg të përjetshëm. Por që Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë vendim.

Për këtë vendim të Apelit ka pasur reagime të shumta. Madje Rrjeti i Grave në reagim pati thënë se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetët një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: