​Mbrojtja kërkon që Salih Mustafa të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat

Mbrojtja ka kërkuar që Salih Mustafa të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat të cilat rëndojnë mbi të dhe ka kërkuar lirim sa më të shpejtë të tij. Avokati Julius von Bone ka thënë para trupit gjykues se Mustafa nuk ka kryer asnjëherë krime por e ka vënë vetën në rrezik për të tjerët duke i shërbyer objektivit të përgjithshëm të popullit të Kosovës për të fituar pavarësinë.

Këtë, von Bone e ka thënë gjatë deklaratës përfundimtare të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Mbrojtja kërkon shpallje jo fajtor të zotëri Mustafa për të gjitha akuzat për të cilat ai akuzohet, ai nuk e ka kryer asnjë krim asnjëherë, ai e ka vendosur vetën e vet në rrezik për shumë njerëz ndërkohë që i shërbente objektivit të përgjithshëm të të gjithë popullit të Kosovës, që ishte fitimi i pavarësisë për njerëzit që kishin luftuar për të qenë të lirë, për një periudhë të gjatë kohore. Zotëri Mustafa ka duruar një periudhë të vështirë dhe të gjatë të ndalimit të tij, ai ka vuajtur paraburgimit, nuk ka shkelur asnjë prej urdhrave që janë përcaktuar nga trupi gjykues”, ka thënë avokati mbrojtës.

Mbrojtja e Mustafës ka bërë thirrje për drejtësi dhe ka shtuar se Mustafa duhet të lirohet sa më shpejtë nga paraburgimi.

“Zotëri Mustafa është i paraburgosur që prej shtatorit të vitit 2020, zotëri Mustafa është baba dhe bashkëshort, ndërkohë që mbrojtja kërkon pafajësi për zotëri Mustafa për gjithë akuzat e ngritura ndaj tij, zotëri Mustafa duhet të lirohet sa më shpejte që të jetë e mundur. Dëshiroj të theksoj se mbrojtja dhe i drejtohem këtu ZPS-së, ne asnjëherë nuk kemi implikuar që viktimat të cilat kanë dhënë dëshmi në këtë çështje kanë fabrikuar apo sajuar historitë e tyre, siç ka deklaruar ZPS në deklaratën e vet, ne nuk e kemi bërë këtë në të kaluarën, nuk e bëjmë sot dhe nuk e bëjmë asnjëherë, për rrjedhojë është e gabuar të nxjerrët ky përfundim ose te thuhet një gjë e tillë, vetëm pozita dhe qëndrimi i mbrojtjes është tërësisht i ndryshëm dhe kemi mendime të ndryshme sa i takon vendit të pretenduar të krimit, apo gjërave që kanë ndodhur apo jo dhe nëse zotëri Mustafa ka pasur ndonjë lidhje ose jo me vendin ku mund të qenë qëndruar personat”, ka thënë ai.


Me këtë mbrojtja e ka mbyllur deklaratën përfundimtare të saj ndërsa seanca në Hagë po vazhdon me deklarimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me çështjet që i ka ngritur pala mbrojtëse.

Në seancën e së martës prokuroria ka kërkuar që Salih Mustafa të shpallet fajtor për katër pikat e aktakuzës dhe të marrë një dënim prej 35 vjet burgim.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar./G.Kadrija

Lexo edhe

Video