​Mbillen rreth 40 fidanë në hapësirat e Qendrës së Studentëve

Rreth 40 fidanë janë mbjell në Kampusin e Qendrës së Studentëve nga Misioni i Bashkimit Evropian (EULEX). Nga ky mision u tha se po kontribuojnë në mbjelljen e 1 milion drurëve në vende të ndryshme të Kosovës. Kryesuesi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark u ka bërë thirrje të gjithëve që të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes në mjedis. Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Faton Peci u zotua se po punojnë në parandalimin e degradimit të natyrës.

Pas mbjelljes së këtyre fidanëve, kryesuesi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark tha se qëllimi i tyre është që të mbjellin edhe me mijëra fidanë të tjerë në lokacione të ndryshme.

“Ky është një aktivitet, të cilin ne si mision i sundimit të ligjit në Kosovë po e bëjmë bashkë me institucionet e ndryshme të Kosovës dhe organizata siç është ‘Let’s Keep it Green’, e po ashtu me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Mjedisor… Aktiviteti i sotëm mund të duket simbolik, sepse sot në këtë aktivitet po mbjellim rreth 40 fidanë në ambientet apo mjediset e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, mirëpo është pjesë e një qëllimi të madh, i cili ka për synim mbjelljen e 1 milion fidanëve në vendet e ndryshme të Kosovës. Dhe unë ju bëjë thirrje secilit që të kontribuojë në këtë drejtim, atëherë efektet mund të jenë shumë më të mëdha në përmirësimin jo vetëm të gjendjes mjedisore por edhe peizazhit e gjithçka që ndërlidhet me aspektet e mjedisit”, ka theksuar ai.

Sipas tij, nëse e gjithë diaspora merr pjesë në mbjelljen e fidanëve në Kosovë, atëherë do të dyfishohet numri i atyre që është planifikuar të bëhet brenda vitit.

“Prerja ilegale e drurëve, shkatërrimi i pyjeve është vepër penale. Prandaj, ajo sanksionet me ligjet e Kosovës dhe sanksionohet pothuajse në vendet tjera. Dhe situata nuk është tipike dhe specifike për Kosovën, por ka tendenca të tilla edhe në vendet tjera në rajon, apo më tutje. Nëse të gjithë kontribuojmë duke mbjell, do të ndihmonim në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit dhe gjelbërimin që e sjellin këto pemë, si kompensim i stokut të humbur të pemëve që janë prerë në mënyrë të kundërligjshme”, ka shtuar ai.


E ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se nga viti i kaluar kanë filluar me nismën për mbjelljen e 1 milion drurëve në territorin e Kosovës. Ai u zotua se po punojnë në menaxhimin dhe parandalimin e prerjeve të pyjeve.

“Do t’i kontribuojnë aspektit ambiental e rrjedhimisht edhe nivelit të zhvillimit ekonomik të Kosovës, që është pjesë e objektivave tona si institucione. Në këtë rast ne si qeveri dhe si ministri e Bujqësisë dhe Pylltarisë, këtë vit kemi aprovuar strategjinë për pylltarinë, kemi aprovuar në parim projektligjin për Pyjet e Kosovës, kemi themeluar task-forcë për parandalimin e prerjeve ilegale dhe po punojmë që të gjejmë partneritet vendor dhe ndërkombëtar që u kontribuon sekuestrimit të karbonit, rrjedhimisht përmirësimit të ambientit për gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta është shprehur i lumtur për mbjelljen e këtyre fidanëve në hapësirat ku janë të vendosur me qindra studentë.

“Ky numër sado simbolik i mbjelljes së këtyre 40 drurëve, e ka rëndësinë e vet. Sepse e shton koloritin dhe llojllojshmërinë e drurëve që ne si Qendër e Studentëve me projektet e mëhershme e kemi bërë këtë hapësirë, kështu siç duket që është model në Prishtinë”, ka përfunduar Sfishta.

Aktiviteti i mbjelljes së këtyre fidanëve është pjesë e kampanjës për mbjelljen e 1 milion fidanëve në gjithë territorin e Kosovës.

Lexo edhe

Video