​Mbështetja e BE-së, liderët e “Ballkanit të Hapur” sërish i bëjnë ftesë Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës

Tre liderët rajonal të “Ballkanit të Hapur” i kanë bërë ftesë sërish Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës që t’i bashkohen kësaj nisme, pas mbështetjes edhe të Bashkimit Evropian.

Në samitin e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “Ballkani i Hapur” është një nismë gjithëpërfshirëse në përpjekje për ta çuar përpara ekonominë e Ballkanit Perëndimor.

Kreu qeveritar në konferencë të përbashkët për medie me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se “Ballkani i Hapur” është vetëm njësi zbatimi i Procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur është njësi zbatimi i Procesit të Berlinit dhe njësi realizimi i tregut të përbashkët rajonal. Kjo është arsye pse ne jemi angazhuar rreth kësaj nisme. Kjo është arsyeja pse qysh në ditën e parë e kemi shpallur këtë nismë si gjithëpërfshirëse. Kjo është arsyeja që i ftojmë tri vendet tjera të rajonit që të na bashkohen për të mirën e secilës palë dhe të mirën e qytetarëve të secilit prej gjashtë pjesëmarrësve në përpjekje për të çuar përpara ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Sot është e qartë dhe e thënë se Komisioni Evropian e mbështet plotësisht ‘Ballkanin e Hapur’ dhe fton tre vendet e tjera t’i bashkohen”, tha ai.


Thirrje për përfshirje në “Ballkanin e Hapur”, tri vendeve refuzuese iu bëri edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai tha se kjo nismë rajonale nuk ka të bëjë me asnjë teori të “Shqipërisë së madhe”, apo “Serbisë së madhe”, por vetëm për bashkëpunim rajonal. 

“kjo nismë s’ka të bëjë me asnjërën, e as me ndonjë Maqedoni të madhe, le të mos humbasin në këto diskutime që kanë të bëjnë me të shkuarën, pasi duke folur për këto gjëra ne nuk do të bëjmë asgjë për të ardhmen…ne dëshirojmë që këto tre kryeqytetet të bëhen pjesë e jona në këtë nismë dhe të bëhen disa gjëra të prekshme. Si mund të kemi më shumë turistë në vendet tona”, theksoi ai.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojnë së bashku për t’i zhvilluar ekonomitë e vendeve pa barriera.

“Ne inkurajojmë të gjitha vendet që të kontribuojnë së bashku për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për tu zhvilluar ekonomisht pa barriera për nevoja të njerëzve tanë. Ne kërkojmë që të ketë kontribut që nisma e Ballkanit të Hapur të jetë nismë e Ballkanit Perëndimor përmes një tregu të përbashkët rajonal”, tha ai.

Tre liderët rajonal përshëndetën arritjen e marrëveshjeve të sotme dhe thanë se efekti pozitiv i tyre do të shihen qysh në fillim të vitit 2022.

Lexo edhe

Video

2 Comments

  • […] ​Mbështetja e BE-së, liderët e “Ballkanit të Hapur” sërish i bëjnë ftesë Kosovës, Mal… Nënshkruhen marrëveshjet ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut Vuçiqit i vjen në majë të hundës arsyetimi për “Ballkanin e Hapur” BE-ja e përkrah “Ballkanin e Hapur” Rama: “Ballkani i Hapur” fillimi i një epoke të re në rajon Rama: “Ballkani i Hapur” nismë gjithëpërfshirëse, inkurajoj vendet e tjera që t’i bashkohen “Ballkani i Hapur”, Rama pret Vuçiqin dhe Zaevin në “Pallatin e Brigadave” Sot samiti “Ballkani i Hapur” në Tiranë, kjo është agjenda […]

  • […] “Ballkani i Hapur” s’do të ndalet është interes strategjik i shqiptarëve ​Mbështetja e BE-së, liderët e “Ballkanit të Hapur” sërish i bëjnë ftesë Kosovës, Mal… Nënshkruhen marrëveshjet ndërmjet Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut Vuçiqit […]

Komentet janë të mbyllura.