​Marashi në Hagë: Gjykata Speciale është kundër vullnetit tonë

​Marashi në Hagë: Gjykata Speciale është kundër vullnetit tonë

Anëtari i Këshillit Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Pren Marashi, ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Në deklaratën e tij Marashi ka folur për datën 8 shtator 2020 kur, sipas tij, hetues të ZPS kishin shkuar në OVL-UÇK. Ai ka thënë se është irrituar nga sjellja e ZPS-së dhe ka kritikuar mënyrën se si janë sjellë në organizatë.

Marashi ka thënë se ishin dy hetues të ZPS-së dhe dy përkthyes dhe sipas tij njëri me maskë nuk pranonte të ulej duke thënë se është aty për të ofruar siguri.

“Kanë hyrë në zyrat e OVL-së i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe mënyrën e sjelljes së tyre si zyrtarë, e ka caktuar një ultimatum duke na thënë mua dhe Fatonit (Klinaku) që ishim në kafene duke na thënë i keni dy minuta që të vini në zyre. Dhe kjo normal që na ka irrituar dhe ju kemi drejtuar se ‘a e dini që ku jeni’. Nuk përputhej sjellja me një zyrtar i cili ka ardhur në mënyrë të mirësjellshme që të kërkojë një dokument ose një shërbim por erdhi në formë urdhri pa treguar asnjë dokument, ishte vet i dyti dhe dy përkthyes i kishte me veti”, ka thënë ai.

Marashi është pyetur nga prokurorja Valeria Bolici se cili është numri i anëtarëve në OVL-UÇK por ai e ka kundërshtuar këtë pyetje.

“Për shkak se ju i keni bastisur zyrat, keni konfiskuar një numër të madh të materialeve nga zyrat e OVL-së pa ndonjë procedurë apo pa ndonjë procesverbal ju me siguri e dini sa është numri i përafërt e unë nuk dua të spekuloj”, ka thënë ai.


Marashi ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me kundërshtimin e Gjykatës Speciale.

“Nuk kemi çka me fsheh, është diçka kundër vullnetit tonë dhe qëndrojmë prapa saj, dhe besoni një mendim të tillë pjesa dërrmuese e luftëtarëve të UÇK-së e kanë… Kur them pjesa dërrmuese e ish-ushtarëve të UÇK-së, këtu përfshihet kryetari, nënkryetari dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së. Publikimi i dosjeve, ju lutem më lejoni ta përfundoj, publikimi i këtyre dosjeve, ardhja e tyre në organizatën e veteranëve është çështja që duhet ta brengosë edhe mua, edhe Hysniun edhe të gjithë çka jemi ushtarë të UÇK-së, sepse e dimë nga rrjedhin. Anashkalimi i burimit të këtyre është për t’u diskutuar, është për t’u dënuar e jo të bëhet gjahu ndaj ushtarëve të UÇK-së, personalisht duhet të kërkohet përgjegjësi nga këto institucione e jo organizata e veteranëve”, ka thënë Marashi.

Gjatë dëshmisë së tij, Marashi ka thënë se e përkrah Nasim Haradinajn. Trupi gjykues e ka pranuar deklaratën e tij me shkrim si provë materiale përveç katër paragrafëve të cilët i ka kundërshtuar prokuroria.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës./G.Kadrija

Lexo edhe

Video