Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se është përmirësuar mjedisi i të bërit biznes në Kosovë. Në raportimin në Komisionin për Ekonomi të martën, ajo tha se vetëm gjatë vitit të kaluar është takuar me 54 investitorë të huaj për të investuar në Kosovë, të cilët kryesisht janë në fushën e industrisë metalike dhe tekstilit.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se vitin e kaluar janë krijuar mbi 11 mijë biznese të reja, janë rritur investimet private si dhe fitimet e bizneseve kanë qenë rreth 160 milionë euro, rrjedhimisht ai kërkoi nga bizneset që t’iu rrisin rrogën punëtorëve që mos të humbet fuqia punëtore.
Sipas saj, ndër sfidat e investimeve të huaja në Kosovë janë edhe mungesa e legjislacionit adekuat, për të cilën tha se janë duke punuar në mënyrë intensive.
Mirëpo, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se në këto dy vite qeverisje të LVV-së nuk ka parë asnjë investim të huaj në Kosovë.
Por, ministrja Hajdari tha se kanë pasur 17 panaire ndërkombëtare ku ka takuar investitorë për t’i sjellë në Kosovë.
Në debat u përfshi edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili paraqiti disa statistika që sipas tij tregojnë efikasitetin e masave qeveritare në klimën e të bërit biznes.
“Sa i përket numrit të bizneseve ju thoni se në vitin 2022 janë krijuar 11 mijë e 24 biznese që mund të jetë numri më i madh i bizneseve të reja të krijuara në 10 vitet e fundit. Ne mund të konkuludojmë se në vitin 2022 ka pasur numër rekord të bizneseve të reja të krijuara. Sa i përket investimeve private në bazë të dhënave të BQK-së, po ashtu në vitin 2022 janë rreth 6 miliardë euro investime private. Tre, sa i përket fitimit, apo fitojnë bizneset mjaftueshëm pasi është krijuar një lloj apokalipsi i pa qenë. Në bazë të dhënave të tatimit në fitim të korporatave, fitimi i bizneseve në vitin 2022 është dyfish. Në vitin 2022 bizneset i kanë raportuar 160 milionë euro fitim tek ATK-ja. Kjo është reflektim potencialisht i 1.6 miliardë euro fitim. A dini sa kanë qenë fitimi në fitin 2019, 94 milionë pra është po thuajse dyfishim. Sa i përket kësaj është mirë se ka shumë propagandë që financohet nga grupet e interesit për të krijuar një apokalips. Numri i bizneseve të krijuara në Kosovë është më i larti në histori, investimet private janë rekord në histori dhe e trata ka pasur fitim rekord të bizneseve. Kjo i bie se tash bizneset duhet të rrisin rrogat punëtorëve dhe me shpërnda pak që mos me humbur fuqinë punëtore”, tha Muja.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, pyeti ministren Hajdari për artefaktet e Kosovës që janë prezantuar në panairin Expo Dubai, të cilat sipas tij janë kthyer në Kosovë me shtatë muaj vonesë.
Shala: Artefaktet që kanë qenë të prezantuara në Dubai nuk janë kthyer në Kosovë
Video
“Artefaktet që kanë qenë të prezantuara në Dubai nuk janë kthyer në Kosovë. Pra rreth shtatë muaj, artefaktet me vlerë që ka përzgjedhur ministria juaj me marrë pjesë atje, ku kanë qëndruar, pse s’janë kthyer me kohë. Në dispozicion të kujt kanë qenë artefaktet kulturore”, pyeti ai.
Por ministrja Hajdari tha se të gjitha artefaktet janë kthyer në Kosovë në gjendje të rregullt, mirëpo për shkak të procedurave nuk kanë mundur të vijnë menjëherë pas përfundimit të panairit.
Hajdari: Të gjitha artefaktet janë kthyer në Kosovë
Video
“Sa i përket artefakteve, të gjitha ato janë kthyer në Republikën e Kosovës. Unë personalisht isha në Doganë duke numëruar të gjitha artefaktet se si kanë ardhur, por ne kemi pasur të kontraktuar të gjithë operatorët ekonomikë dhe sigurimin e tyre. Ato kanë qenë me vlerë tejet të lartë kombëtare”, tha ai.
Ndërkaq, komisioni nuk pati kuorum për vendimmarrje në shqyrtimin e raportimit me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë./KosovaPress/