​LVV propozon komision hetimor parlamentar për energjinë, gati 40 nënshkrimet

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të procedojë sot në Kuvend 40 nënshkrime për formimin e komisionit hetimor për sektorin e energjisë. Ndryshe nga kërkesa opozitare, mazhoranca do të përfshijë zgjerimin e hetimeve për sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se në kërkesën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë do të përfshijnë edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.

“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e mbështetë formimin e komisionit hetimor parlamentar për sektorin e energjisë, me spektër të zgjeruar kohor të hetimeve… Jemi të interesuar në funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë sektorin e energjisë. Do të prezantojmë propozimin tonë për zgjerim të spektrit të hetimit parlamentar duke përfshirë edhe pikat që i ka propozuar tashmë opozita. Me dyzet nënshkrime të grupit parlamentar do të dorëzojmë këtë kërkesë që të mundësojmë formimin e komisionit hetimor parlamentar… Ne jemi të interesuar në zbardhjen e të gjitha fakteve që lidhen me vendimmarrjen me sektorin e energjisë që nga shpallja e pavarësisë deri në qeverinë aktuale dhe një propozim të tillë do të dorëzojmë (sot) në Kuvendin e Kosovës”, thotë ajo për KosovaPress.

Një ditë para seancës plenare, ku është në rend dite kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar, shefja e deputetëve të LVV-së thotë se në formën aktuale partitë opozitare e kanë të pamundur formimin e komisionit hetimor.

“Është vërejtur që opozita në kompozicionin aktual dhe mënyrën si janë dorëzuar nënshkrimet dyzet nënshkrimet e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe Listën Serbe të bashkangjitur me tri partitë opozitare do të kenë të pamundur themelimin e komisionit hetimor parlamentar, pasi nuk ka grup parlamentar nga i cili mund të zgjidhet kryesuesi apo kryesuesi derisa partitë në pozitë e kanë të ndaluar me ligj të jenë në krye të komisioneve hetimore parlamentare. Në formën e tillë tashmë është marrë interpretimi edhe nga administrata e Kuvendit. Në dy legjislatura të ndryshme ka ndodhur një situatë e ngjashme edhe në kohën kur kryetar Kuvendi ishte Kadri Veseli dhe në kohën kur kryetare e Kuvendit ishte Vjosa Osmani-Sadriu dhe s’ka pasur mundësi të formimit të komisioneve hetimore parlamentare në momentin kur deputetët nga grupet parlamentare të opozitës janë të përfshirë në kërkesë”, shton Kusari-Lila.


Ajo i konsideron për keqardhje edhe pretendimet e opozitës, veçmas të PDK-së për ndërlidhjen siç e quan ajo fiktive të situatës aktuale të energjisë në Kosovë me raportimet për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Nuk dua të komentoj në asgjë për të cilën janë organet kompetente që japin përgjigje kredibile. Megjithatë është për keqardhje forma dhe mënyra si opozita mundohet në çdo mënyrë të shfrytëzojë, çka do qoftë e cila mund të rezultojë edhe si lajm i rrem që të bëjë një ndërlidhje fiktive të krerët e shtetit me situatën aktuale të energjisë në Kosovë. Ne do të kishim një situatë më të mirë dhe favorshme edhe në krizën energjetike, sikur të kishim pasur sukses në investimet në sektorin e energjisë, përgjegjëse të cilat ishin këto parti opozitare të cilat sot po mundohen të akuzojnë qeverinë aktuale për sektorin e energjisë”, thotë Kusari-Lila.

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK po kërkojnë me ngulm formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë. Pavarësisht sigurimit të dyzet nënshkrimeve, mazhoranca nuk po e përkrah për shkak, siç po konsiderojnë mosrespektimit të rregullores së Kuvendit.

Për shkak të kësaj kërkese, opozita ka një javë që po bojkoton votimet në komisione parlamentare, madje një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe në seanca plenare.

Të enjten është seanca e rregullt plenare, ku në rend të ditës është edhe kërkesa e opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike gjatë vitit 2021 dhe punësimet në KEK.

Lexo edhe

Video