​Ligji për Mbikëqyrje Elektronike mbetet vetëm ligj në letër

Ligji për Mbikëqyrje Elektronike të personave të cilët u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës nuk po zbatohet në Kosovë. Madje për këtë ligj nuk ka as salla operative për mbikëqyrje elektronike si dhe nuk ka pajisje apo byzylyk elektronik për mbikëqyrje.

Kështu thotë raporti Pajisjet elektronike: fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”,  i lansuar sot nga Lëvizja FOL dhe mbështetur nga misioni i EULEX-it në Kosovë.

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark deklaroi se Kosova ka përshtatur kornizën ligjore me atë të BE-së në rrugën e luftimit të kësaj dukurie, por theksoi se qeveria duhet të punoj në këtë në aspektin e strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.

Por, sipas tij ndonëse ka pasur vullnet politik, Ligji për Mbikëqyrje Elektronike nuk po gjen zbatim në praktik, dhe ka mbetur vetëm si ligj në letër.

“Kosova tashmë ka një ligj për mbikëqyrjen e elektronikës, personi të cilit i është kufizuar lëvizja me vendim të gjykatës[…]Si të përdoren mjetet e survejimit elektronik si pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe objektivi, natyrisht, është gjurmimi i atyre që kanë kryer vepra penale dhe që dyshohen ose mund të kryejnë përsëri vepra të tilla. Me sa kam unë njohuri, ky ligj për mbikëqyrjen e elektronikës është kryesisht një ligj në letër. Nuk është i vetmi, dhe jo vetëm këtu në Kosovë, që ka mbetur në letër, por tani 5-6 vjet pasi u miratua, është koha për të parë se si mund të zbatohet. Sigurisht, këtu po e shikoj në veçanti Policinë e Kosovës por edhe Gjyqësorin në përgjithësi që duhet të vendosë se si të ecet përpara”, theksoi ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se institucionet e Kosovës kanë shënuar progres  në aspektin e parandalimit të dhunës në familje, por nevojitet që të plotësohet tutje korniza ligjore për trajtimin e këtyre rasteve.

Sipas tij institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë në aspektin e krijimit të mekanizmave për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje. Ndërsa ka shtuar se shteti i Kosovës ka dështuar të zbatoj në praktik  Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike.


“Shteti, qeveria ka dështuar ta zbatojë këtë ligj, në fakt ne nuk kemi të dhëna që deri më sot janë siguruar pajisjet që e bëjnë të mundur zbatimin e këtij ligji. Në anën tjetër Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nxjerr udhëzimet administrative se si mund të zbatohet ky ligj por deri më sot mund të themi se ne këtë drejtim nuk është treguar rezultat dhe nuk është treguar sukses dhe përkundër rekomandimeve të qarta edhe nga Avokati i Popullit”, theksoi ai.

Kapiten, Arsim Shala koordinator kombëtar për dhunën në familje pranë Policisë së Kosovës tha se raportimi i dhunës në familje në vitet e fundit në Kosovë është fenomen në rritje.

Sipas tij ndonëse me vonesë Policia e Kosovës tashmë ka përgatitur një plan për funksionalizimin e mekanizmave për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrje elektronike, plan i cili është në fazën e fizibilitetit dhe në gjysmën e vitit të ardhshëm mund të implementohet.

“Ne si Polici e Kosovës kemi personel të mjaftueshëm edhe kemi mekanizma të mjaftueshëm që shtrihen në tërë Kosovën ku përveç që kemi detyra dhe obligime në aspektin e ofrimit të mbrojtjes dhe sigurisë për viktimat e dhunës në familje, njëkohësisht  kemi mekanizma të mjaftueshëm për të realizuar edhe obligimet që dalin sa i përket ligjit për Mbikëqyrje Elektronike[…]Jemi akteri që kemi obligim pra përgjegjësi për vendosjen, heqjen dhe funksionimin e këtyre pajisjeve dhe jemi përgjegjës për të kontrolluar mënyrën se si po funksion dhe po realizohet mbikëqyrja elektronike në terren. Sa i përket këtij obligimi e thash në fillim pak me vonesë por ne si Polici e Kosovës kemi ndërmarrë disa hapa konkret fillimisht është krijuar një projekt përmes të cilit është paraparë edhe mënyra se si do realizohet i njëjti në praktik… Në Polici të Kosovës ekziston qendra operative dhe koordinuese në DPP e cila ka kapacitet të mjaftueshme edhe për realizim të këtij projekti është vlerësimi i ekspertëve tanë që janë ekspert tanë të IT-së dhe kanë ardhur përfundime se jemi në gjendje ta realizojmë këtë projekt. Pra, nga qendra koorinduese e DPP-së ku do jetë i vendosur serveri apo pajisja kryesore  do i jepet një qasje 41 stacioneve tjera policore”, theksoi ai.

Ndërsa, ekspertja nga FOL, Albana Hasani prezantoi raportin ku  tha se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike jo vetëm që nuk ka gjetur zbatim, por as kushtet nuk ekzistojnë që ky ligj të zbatohet.

Hasani tha se për zbatim të këtij ligji mungojnë pajisjet elektronike e sallat operative.

“Ligj i cili synon të krijoj një mekanizëm efektiv për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, por ajo që mbetet shqetësuese edhe gjashtë vite pas  hyrjes në fuqi të këtij ligji është se institucionet  e Kosovës ende vazhdojnë të kenë probleme në ndërmarrjen  e hapave konkret në funksionalizimin e plotë dhe efikas të këtij ligji. Shqetësuese vazhdon të mbetet se ky ligj është vetëm në letër dhe pamundësia e krijimit të kushteve për zbatim në praktik. Sipas të dhënave të siguruara në Kosovë nuk ekzistojnë as salla operative për mbikëqyrje elektronike siç përcaktohet me Ligjin për Mbikëqyrje elektronike. Nuk ka byzylyk elektronik apo pajisje elektronike dhe nuk janë mbajtur trajnim për personelin kompetencë..26’45 Gjatë periudhës korrik 2015-korrik 2021 janë kryer  gjithsej 46 vrasje si pasojë e dhunë në familje ky numër kaq i lartë i personave që kanë përfunduar me fatalitet si pasojë e dhunës në familje tregon qartë urgjencën  për shfrytëzimin e të gjithë mekanizmave shtetëror për luftimin e kësaj dukurie”, u shpreh Hasani.

Ligji për Mbikëqyrje Elektronike të personave të cilët u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës është miratuar në vitin 2015, ndërsa në fuqi hyri në vitin 2010.

Lexo edhe

Video

error: