​Liderët opozitarë presin Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke

​Liderët opozitarë presin Lajçakun: Marrëveshja me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke

Gjatë ditës së dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka takuar tre krerët e partive opozitare në vend. Temë kryesore në këto takime ishte dialogu Kosovë-Serbi, dhe opozitarët kërkuan që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke.

Fillimisht Lajçak takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili përmes një postimi në Facebook njoftoi për këtë takim dhe atë që është diskutuar.

Sipas tij procesi i dialogut duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Mëngjesin e sotëm prita në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Zotëri Lajčak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.

Më pas, Lajçak takoi edhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.


Nga ky takim u tha se kanë biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe procesin e dialogut, për të cilin proces Abdixhiku rikonfirmoi qëndrimin e tyre se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës. Kryetari Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit. Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.

Takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në Facebook, Haradinaj tha se roli strategjik i SHBA-së për përfshirje në dialogun me Serbinë është i domosdoshëm, ndërsa theksoi se marrëveshja duhet ta ketë epilogun e njohjes reciproke.

“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Gjithashtu z.Lajçak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Qënga dje në Kosovë po qëndron i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak i cili ditën e parë të qëndrimit të tij në Kosovë ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajçak do të qëndroj në Kosovë deri më 29 qershor.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.