​LDK mbështet fuqishëm padinë kundër Serbisë për gjenocid

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid.

E në këtë proces Kurti mund të llogarisë në ndihmën dhe përkrahjen edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj ka thënë se LDK mbështet fuqishëm padinë për gjenocid ndaj Serbisë, pasi vlerëson se gjatë luftës së fundit pushteti i Serbisë ka tentuar të shfaros popullsinë civile.

Megjithatë, LDK kërkon angazhim të gjithë spektrit politik, të shoqërisë civile, si dhe involvimin e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurohen fakte të bollshme për padinë ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.


“Padinë për gjenocid ndaj Serbisë LDK e mbështet fuqishëm. Në vlerësimin tonë krimet që janë kryer nga pushteti i Serbisë ndaj popullatës civile shqiptare përbëjnë elementin e shfarosjes që nënkupton që përbëjnë elemente të gjenocidit. Mirëpo, ne vlerësojmë në këtë proces të gjitha institucionet e vendit dhe jo vetëm, por edhe shoqëria civile dhe ekspertët më të mirë vendorë dhe ndërkombëtarë duhet që të punojnë së bashku në mënyrë që momenti që të fillon ky proces i ngritjes së padisë të sigurohemi që kemi fakte dhe dëshmi të mjaftueshme për të prezantuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në vendin tonë është kryer gjenocid nga pushteti i Serbisë”, tha ai.

LDK mendon se inicimi i i kësaj padie nuk e dëmton procesin e dialogut me Serbinë, pasi vlerëson se kjo është cështje që i takon drejtësisë.

“Ne mendojmë që është mirë që është ngritur kjo çështje dhe mendojmë që kjo nuk është çështje politike dhe nuk e dëmton procesi ne dialogut me Serbinë. Kjo është çështje e drejtësisë dhe si e tillë duhet të trajtohet. Është shumë me rëndësi që në fund të këtij procesi që mendojmë se është i gjatë të vërtetohet dhe të dëshmohet se ndaj popullatës civile shqiptare dhe komuniteteve tjera është kryer gjenocid nga pushteti i Serbisë”, tha ai.

Manaj këto komente i bëri në një konferencë për media, ku shpalosi të gjeturat e Departamentit për rend, ligj dhe Siguri, lidhur me programin qeverisës të partisë në pushtet.

Lexo edhe

Video

error: