​LDK kërkon treg të lirë të kontrollimit teknik të automjeteve

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë është diskutuar rreth ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Automjete, me ç’rast është krijuar grupi punues për këtë projektligj.

Lidhur me këtë temë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka propozuar që në Ligjin për Automjete të plotësohet dhe ndryshohen dy paragrafë në nenin 89, e që kanë të bëjnë me licencimin e subjekteve të reja për kontroll teknik brenda një territori dhe kontrollit teknik të mjeteve vetëm brenda komunës ku është vendbanimi i pronarit të mjetit.

Ai ka kërkuar që këto dy paragrafë të nenit 89 të ndryshohen, pasi sipas tij e bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës me nenet që promovojnë ekonominë e tregut.

“Propozimi im është që neni 89 i ligjit bazik për automjete të plotësohet dhe ndryshohet duke fshirë në tërësi paragrafin 2 dhe paragrafin 3 të nenit 89, më hollësisht paragrafi 2 i nëntit 89 të ligjit bazik kufizon se ‘Nuk mund të licencohet asnjë subjekt i ri apo linjë e re për kontroll teknik nëse mesatarja e numrit të kontrolleve teknike të të gjitha subjekteve për kontroll teknik brenda territorit të një komune nuk ka kaluar katër mijë (4000) kontrolle brenda vitit’, ndërsa paragrafi 3 i nëntit 89 kufizon se ‘Kontrolli teknik i mjeteve mund të bëhet vetëm brenda Komunës ku e ka vendbanimin pronari i mjetit. Nëse brenda Komunës nuk ka subjekte për kontroll teknik, atëherë kontrolli bëhet brenda rajonit ku e ka vendbanimin pronari i mjetit’. Pra vlerësoj se këto dy paragrafë bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, veçanërisht nenit 119 të Kushtetutës, saktësisht paragrafët 1, 2 dhe 3, të këtij neni që e promovojnë ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik, të drejtat ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe ndalon veprime dhe praktika që kufizojnë konkurrencën e lirë”, tha ai.

Mirëpo, ky propozim i tij nuk ka gjetur përkrahje nga pjesa tjetër deputetëve të opozitës, e as nga ata të pozitës.


Deputeti i LVV-së, Salih Zyba, tha se këto ndryshime duhet të bëhen përmes ndryshimeve rrënjësore të ligjit.

“Konsiderojmë se duhet kjo zgjidhje e këtij neni bëhet përmes ndryshimeve rrënjësore të ligjit, tash duhet të kemi debat për këtë punë. E konsideroj që ky paragraf duhet të shikohet, sepse ka një kohë të gjatë që është normuar kështu siç është dhe duhet të kemi analizë prej ministrisë përkatëse të na bie sepse minimumi i këtij ndryshimi i kësaj shifre kjo nuk mund të quhet monopol, po është përkufizim, është normë e caktuar në numër të qarkullimit të automjeteve. Prej kur është vendosur deri sot duhet me pas një raport, një të gjetur, një konstatim se sa ka ndryshuar ky proporcion, a duhet të ndryshohet numri i automjeteve apo të hapet pa kufizim, sepse jam i vetëdijshëm që në kohën kur është instaluar kjo shifër prej 4 mijë automjete për të qenë në qarkullim ka qenë një përkufizim që disa prej kompanive apo operatorëve ekonomik i ka detyru me bë disa investime me këtë përkufizim. Do të thotë në momentin kur ne e heqim është një përmbysje tjetër. Nuk jam për mos me e heq, por jam së pari të kërkojmë të dhëna shtesë prej ministrisë që të jem të vetëdijshëm a e hapim si tërësi apo lypim prej ministrisë përkatëse me pas kalkulime të tjera”, tha ai.

Idenë e deputetit të LDK-së Besian Mustafa, nuk e ka përkrahur as deputeti i PDK-së Fadil Nura, i cili tha se një ndryshim i tillë mund të ketë ndikime të tjera që mund të prekin edhe fushën e sigurisë.

“Nëse këto munden me u grumbullu vetëm në një lokacion, po e marr si shembull vetëm në Fushë Kosovë, do të thotë është e padrejtë qytetari, pavarësisht në një farë forme liri se ku dëshiron e bënë këtë shërbim, po pastaj duhet analizuar a ndërlidhet me çështje të sigurisë sepse ne e kemi të dhënia e tabelave që janë në çdo komunë që jepet numri i tabelës që është ndarë në regjione, a e prek këtë element a jo. Kështu që unë jam për ta analizuar më detajisht”, tha ai.

Pas diskutimeve, deputetët kanë përzgjedhur anëtarët e grupit punues për Projektligjin për Automjete, pjesë e të cilit do të jenë deputeti Besian Mustafa, deputeti Salih Zyba dhe deputeti Ekrem Mustafa.

Lexo edhe

Video

error: