​Kuvendi për gjashtë muaj shpenzoi rreth 4 milionë euro, mbi 3 milionë vetëm për paga dhe mëditje

Kuvendi i Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka shpenzuar 3 milionë e 738 mijë euro. Pjesa dërrmuese e tyre ka qenë për paga dhe mëditje për deputetët dhe stafin e Kuvendit, ndërsa rreth 700 mijë euro për shërbime të tjera.

Këto të dhëna u bënë të ditura sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u miratua raporti i shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Për ta paraqitur raportin ishte edhe Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili tregoi në përqindje shpenzimet e legjislativit.

Ai tha se për paga dhe mëditje janë shpenzuar 100 përqind  e mjeteve, ndërsa për mallra, shpenzime dhe të tjera 34 përqind.

“Te paga dhe mëditje kemi shpenzimet e realizuar 100 përqind. Te mallra dhe shërbime 34.7  përqind, te shpenzimet komunale tjera 72.9 përqind. Subvencione dhe transfere 12.8 përqind dhe shpenzime kapitale 26.7 përqind. Totali i shpenzimeve në këtë gjashtëmujor është 3 milionë e 738 milionë euro, apo 72. 80 përqind”, tha ai.

Krahas kësaj, komisioni miratoiedheProjektligjin për ratifikimin e amendamentit numër 1  të marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Hungarisë për bashkëpunim financiar.


Përmes kësaj, u bë e ditur se Kosova do të përfitojë një kredi të butë prej 62 milionë euro.

Për ta arsyetuar të njëjtën, ishte edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se në këtë marrëveshje kornizë nuk janë përcaktuar projektet, por kryesisht kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza dhe infrastrukturë.  

“Bëhet fjalë për një kredi të butë e cila i është ofruar Kosovës nga qeveria Hungareze në shumë prej 62 milionë euro[…]i vetmi ndryshim është që të amendamentohet paragrafi i seksionit 1, neni tre të marrëveshjes përkatëse për të përfituar këto zgjatjet e afateve, sikur për maturitet dhe periudhën e ripagimit”, tha ai.

Shqetësime për këtë projektligj ngriti, deputeti i AAK-së në këtë komision, Pal Lekaj, i cili tha se duhet të qartësohet se cilat kompani i implementojnë projektet e kësaj kredie.

“Ka disa paqartësi, e them se vet jam ballafaquar në investimet në monitorim të infrastrukturës rrugore 24 orë. Aty do të thotë se kanë kërkuar, ambasada e Hungarisë që të bëhet një nënshkrim i kontratës që kompanitë e tyre të vijnë dhe implementojnë. Unë nuk e kam kryer atë punë, s’kam firmosur, insistimi ka qenë i madh deri sa kam thënë ta ndërpremë. Mos po vjen prapë tek ajo punë, që këto mjete që po iu japin Kosovës t’i implementojnë kompanitë e tyre, nëse vendosë Kuvendi, krejt okej, por marrëveshjen paraprake s’ka pasur ligj të tillë. Kanë dashur të na obligojnë të bëjnë një marrëveshje të tillë, e pastaj do të ishte dashur të përballemi me ligjin. Aty saktësisht duhet të thuhet se kush i implementon këto projekte, apo si, duhet sqaruar në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërkohë,  në mbledhjen e sotme,Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk miratoi një varg raportesh të institucioneve të pavarura që mbikëqyren nga Kuvendi i Kosovës.

Komisioni nuk miratoi raportin vjetor financiar të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, raportin  vjetor Financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020, raportin Vjetor Financiar të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2020, raportin Vjetor Financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe  raportin Vjetor Financiar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Lexo edhe

Video