​Kuvendi nuk miraton marrëveshjen ndërkombëtare për reformën e sistemit të ndihmës sociale

Me vetëm 75 vota për, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.

E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK-ja.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se vlera totale e marrjes së kredisë për reformë është 47 milionë euro.

“Vlera totale e projektit prite të kap shumën  deri në 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtë familjeve në nevojë. Si dhe avancimin e integruar të familjeve me asistencë sociale në mënyrë që të krijohen mundësia që të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale, në raste të ngjashme sikur kishim tash në krizën e pandemisë”, tha ai.

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se ky projektligj ka interes edhe programor, por edhe avancim të shanseve të barabarta për barazinë sociale.

“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë projektligj për arsye se ky projektligj tenton të përmirësojë barazinë dhe rrjetin e sigurisë sociale. Disa prej kompontentave që i ka ky projektligj janë me interes programor dhe avancimin e shanseve të barabarta, por edhe të njëjtën kohë barazi sociale”, deklaroi ai.

Mbështetje ofroi edhe Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit, Mërgim Lushtaku.


“E shohim të nevojshme  të këtë një mbështetje, megjithëse ka mundësi që të ardhmen të ketë përmirësime që i kemi kërkuar edhe në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere”, tha ai.

Megjithëse i dha përkrahje këtij projektligji, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi detaje për marrëveshjen dhe qëllimin e reformës.

 “Në krejt këtë proces ajo që ne si grup parlamentar e kemi rendësi është që skemat sociale për shtetin e Kosovës është barra më e madhe në raport me harxhimin dhe efektin që duhet të analizojmë. Nëse flasim për reformë, pyetja shtrohet se cili është synimi parësor i saj ? A është zgjerimi i skemës sociale, a është të ngushtohet, a do të ketë një riorganizim të atyre që janë të skemë sociale”, shtoi ai.

Por, kundërshti ndaj marrjes së kësaj kredie shprehu deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të merren kredi për pagesa të skemave sociale.

“Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Ndoshta prej viti 2008 e këndej nuk ka ndodhur që qeveria të marrë kredi për të paguar pagat ose skemat e ndryshme sociale dhe pensione. Në fund të fundit çfarë shteti jemi ne që me të hyrat që mbledhim të paguajmë skemat sociale edhe shpenzimet elementare në shëndetësi, arsim dhe pagat që të funksionojë një shtet normal. Nëse e sheh historinë edhe përvojën e vendeve të tjera vetëm Palestina, Sahara Perëndimor, pra vetëm disa prej vendeve që kanë vështirësi konsolidimin e institucioneve të tyre marrin kredi të tilla. Por jo vende siç është Kosova”, tha ai.

Megjithatë, ministri Murati  tha se kredi të tilla janë marrë edhe të kaluarën.

“Ne kemi filluar reduktimin e borxhit vjetor dhe nëse krahasohet me vitin e kaluar kemi 100 milionë euro më pak që kemi marrë këtë vit, sesa kanë qenë vitin paraprak. Kemi filluar ta stabilizojmë borxhin publik. Në anën tjetër që Banka Botërore është e përshirë në këtë projekt dhe jep kredi lë të kuptohet se është projekt serioz dhe nuk është ndonjë shpenzim i pamenduar mirë i parasë publike. Vlen të theksohet se ky nuk është shpenzim i vazhdueshëm, mjetet që merren këto janë për reformë dhe pilotim. Pra mjetet nga kjo kredi do të përdoren për pilotim të projektin dhe reformim të sistemit. Ka pasur edhe të kaluarën, madje ka qenë në koalicionin PDK-LDK që është marrë një kredi e tillë për reformë të sistemit shëndetësor 24 milionë euro”, tha ai.

Kjo marrëveshje ndërkombëtare është nënshkruar ndërmjet Ministrisë  së Financave, Punës dhe Transfereve  dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim që është në kuadër të Bankës Botërore.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.