​Kuvendi mblidhet për të vazhduar 12 pikat e papërfunduara, përfshirë debatin për vizat

​Kuvendi mblidhet për të vazhduar 12 pikat e papërfunduara, përfshirë debatin për vizat

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish në seancë plenare prej orës 10:00 për të vazhduar me 12 pikat e mbetura, disa nga seanca e së enjtes por edhe disa pika të mbetura nga seancat e mëparshme.

Fillimisht deputetët do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, pastaj shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Shëndetësi e shqyrtimin e Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021. Të gjitha këto pika të mbetura nga seanca e së enjtes.

Ndërsa pikat e mbetura nga seancat e kaluara janë: Votimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021; Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”; dhe Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit


Po ashtu, për sot është paraparë edhe debati parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.

Ndërsa, në seancën e së enjtes, me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Rregulloren e re. Po ashtu, Kuvendi miratoi Marrëveshjen e Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III).

Po ashtu, me 89 vota për, Kuvendi miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të mijëvjeçarit dhe marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim të politikave zhvillimore për financa publike dhe rritje të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, u përkrah nga grupet parlamentare dhe më pas mori miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Lexo edhe

Video