​Kuvendi mban dy seanca gjatë kësaj jave, pritet të miratohet rregullorja e re

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ndërsa të premten do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara nga e kaluara, mes tyre edhe debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave.

Të njëjtat u caktuan me vendimmarrje të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjfuca, pasi, Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës nuk pati kuorum.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në seancën e re të Kuvendit, do të bëhet shqyrtimi i dytë i rregullores së re të Kuvendit dhe po ashtu Projektligjit për financimin e partive politike.

Ajo tha se pret miratimin edhe të marrëveshjes ndërkombëtare me Komisionin Evropian për IPA III.

Lidhur me rregulloren e re të Kuvendit, Kusari-Lila tha se është gjetur konsensusi nga grupet parlamentare për t’i dhënë dritë të gjelbër, pasi edhe janë hequr tw gjitha dualizmat që kanë mundur ta sfidojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.

“Janë dakorduar që të gjitha dualizmat apo mundësitë që të çojnë në shqyrtim, apo sfidim të kësaj rregullore në Gjykatë Kushtetuese të hiqen. E di që në grupin punues ka pasur frymë të bashkëpunimit dhe dakordim final”, tha ajo.


Përkrahje miratimit të rregullores së re të Kuvendit, i dha edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Ajo tha se presin që përmes të njëjtës të rritet funksionaliteti i legjislativit.

“Për vite të tëra Kuvendi nuk e ka pasur mundësinë që të miratojë një rregullore, e cila nw të kaluarën nuk ka marrë mbështetjen e deputetëve opozitarë. Jemi përpjekur që të ndërtojmë një frymë të bashkëpunimit dhe natyrisht synim i yni ka qenë që kontestimet që mund të ndodhin tek Gjykata Kushtetuese t’i ndalojmë që në draftimin e rregullores së re të Kuvendit. Konsiderojmë që do të jetë një rregullore që do të ndihmojë funksionalitetin e këtij institucioni të rëndësishëm. Jemi munduar që të bashkëpunojmë me akterë të shoqërisë civile gjatë punës që është bërë për disa muaj me radhë. Besoj shumë se në seancë do të merr mbështetjen e deputetëve. PDK ka dhënë qëndrimin e saj se ne do të mbështesim rregulloren e re të punës së Kuvendit. Presim që të rritë funksionalitetin e këtij institucioni”, shtoi Blerta-Deliu.

Mirëpo paraprakisht, ajo njoftoi se në seancën e radhës do të jetë edhe Projektligji i rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i cili është iniciuar nga PDK-ja.

Për rregulloren e re të Kuvendit, nuk foli shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, mirëpo njoftoi se kanë kërkuar interpelancë në Kuvend për ligjin e pagave dhe për ligjin për zyrtarët publikë.

“Ajo që ngrita në kryesi ka të bëjë edhe me dy interpelanca që i kemi kërkuar. Interpelancën për ligjin e pagave. Për mua është e pakuptim plotësisht se në tri momente mos me u sjell në Kuvendi ligji i pagave. Realisht qeveria ka dështuar dhe duhet të ballafaqohemi me ministrin të shohim pse”, tha ai.

Në rend të ditës, në seancën e së enjtes do të jetë edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim të politikave zhvillimore për financa publike dhe rritje të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Lexo edhe

Video