​Kuvendi i Kosovës vlerësohet si ndër parlamentet më transparente në rajon

Kuvendi i Kosovës është radhitur ndër institucionet më transparente në rajon. Kjo u tha në aktivitetin që organizua nën ombrellën e Forumit për Transparencë Parlamentare për nder të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, ku u hapën edhe dyert e Kuvendit për të gjithë qytetarët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ashtu sikurse edhe viteve të tjera përmes shënimit të Ditës së Demokracisë synojnë që ta promovojnë demokracinë, të hapet e të bëhet sa më transparent Kuvendi i Kosovës, e institucionet e zyrtarët publikë të jenë sa më llogaridhënëse pasi kanë marrë përgjegjësi për t’ju shërbyer qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se të dhënat e Open Data Kosova që e radhisin Kuvendin e Kosovës në vendin e dytë sa i përket transparencës së parlamenteve Snë rajon, nuk duhet të sjellin vetëkënaqësi por të kërkohet më shumë.

“Transparenca dhe llogaridhënia janë parakushtet kryesore për funksionimin e demokracisë, prandaj puna e deritashme e këtij forumi i kanë kontribuar në krijimin e një kulture parlamentare duke e bërë Kuvendin tonë të qasshëm dhe të hapur për publikun. Këtë e dëshmojnë edhe faktet sipas Open Data Kosova e cila thotë se Kuvendi i Kosovës qëndron në vendin e dytë në rajon sa i përket transparencës me 78% të plotësimit të të gjitha parametrave të transparencës. Natyrisht nuk duhet të jemi të kënaqur, ne synojmë ta ngrehim transparencën e Kuvendit të Kosovës dhe vitin tjetër Kosova të jetë e para në rajon prej shteteve me Kuvendin më transparent”, u shpreh Konjufca.

Në fjalën e sajdrejtoresha e NDI-së për Kosovë, Nancy Soderberg, u shpreh krenare për mbështetjen e Kuvendit ndër vite duke thënë se rezultatet në transparencë janë të dukshme, duke e radhitur Parlamentin kosovar ndër më transparentët në botë.


Ajo përmendi edhe faktin që një numër i lartë i grave janë zgjedhur deputete dhe kjo, sipas saj, kontribuon që të bëjnë demokracinë funksionale në Kosovë.

“Demokracia këtu është e vështirë, ju keni jo vetëm sfida që vijnë nga pandemia, keni çështje të vështira rajonale dhe tensionet me invazionin e padrejtë të Ukrainës, demokracia këtu nuk është ndalur asnjëherë dhe zotimi apo anagzhimi i njerëzve për këtë shihet në baza të përditshme për të pasur një parlament transparent dhe llogaridhënës. Jo aksidentalisht Kosova është një prej parlamenteve më të balancuara në aspektin gjinor në botë, siç thaëm më parë, demokracia është e vështirë por nuk është e pamundur, është e jashtëzakonshëm të shohim kontributin e grave në të gjitha nivelet e shoqërisë në Kosovë dhe numrin rekord që është zgjedhur në vitin 2021 , është duke ndihmuar të bëjë demokracinë funksionale në Kosovë”, deklaroi Soderberg.

Koordinatorja e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence, që mori detyrën së fundmi, foli për rëndësinë e mediave të pavarura dhe rolin e tyre që kanë në një demokraci të shëndoshë.

“Tema e lirisë së mediave është mesazhi im i parë këtu sot duke ditur kontestin e punës në Kosovë dhe rëndësinë e punës në mënyrë të bashkuar për të luftuar gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme dhe për t’u siguruar që kemi një demokraci të fortë në media. Mesazhi im i dytë ka të bëjë me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm që kanë për qëllim të mos e lënë askënd mbrapa dhe t’i shtyjnë ata të tjerët përpara dhe është me rëndësi të themi se Kosova është duke e kremtuar vitin e personave me aftësi të kufizuara dhe para syve tanë jemi duke parë një garë të shahut dhe jemi shumë të lumtur dhe krenarë që po mbështetim këto aktivitete të tilla si Kombe të Bashkuara”, u shpreh Spence.

Në kuadër të shënimit të Ditës së Demokracisë sot është mbajtur edhe panairi i shoqërisë civile, garë shahu nga persona të verbër, ndërsa gjatë ditës janë paralajmëruar edhe debate dhe aktivitete të tjera që afirmojnë demokracinë./B.Ibishi/

Lexo edhe

Video