​Kuvendi emëron dy anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli janë emëruar anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Këtë kërkesë të Qeverisë e kanë miratuar deputetët e shumicës të cilët gjithashtu kanë votuar edhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Me këtë ka përfunduar seanca e Kuvendit në të cilën ka dështuar miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, mocioni i Partisë Demokratike për formimin e komisionit hetimor dhe debati për sigurinë në vend, i kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.


“65 deputetë kanë votuar dhe të gjithë kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kështu që konstatoj që Kuvendi e mori këtë vendim, emërohen dy anëtarë të komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të cilët janë Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli. Mandati i anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është pesëvjeçar pa të drejtën e riemërimit. Sa i përket vazhdimit të seancës, sepse na mbetën tri çështje mos harroni, marrëveshjet ndërkombëtare, mocioni procedural i PDK-së dhe debati për çështjen e sigurisë, shihemi kurdo që ta vendosim për vazhdimin e kësaj seance”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Seanca plenare ka vijuar pa deputetët e opozitës meqë të njëjtit kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votime deri në formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike në vend.

Lexo edhe

Video