​Kusari-Lila për mungesën e kuorumit: Vetëkritikë edhe për grupin tonë parlamentar

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë dhe përsëriti që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave duke shtuar që procesi tani është në rrugën e vet.

https://youtu.be/81qxIwhJkAA

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ajo tha se janë pajtuar me shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare që në seancën e sotme t’i përfshijnë edhe pesë marrëveshje ndërkombëtare të cilat për shkak të mungesës së kuorumit kanë mbetur nga seanca e javës së kaluar.

Pikërisht mungesa e kuorumit dhe mosefikasiteti i punës së Kuvendit është përfshirë në Raportin e Progresit për Kosovën.

“Në seancën e fundit të Kuvendit për sesionin pranveror të legjislaturës të tetë unë e kam adresuar këtë si problem dhe vetëkritikë edhe për grupin tonë parlamentar, natyrisht edhe angazhimin tonë që në një të ardhme të mos na përsëriten rrethana të tilla. Një prej formave që jemi dakorduar ta adresojmë që seanca të mbajmë në ditë të caktuar, ditën e enje atëherë kur parashihet që të jetë seanca plenare në mënyrë që ditët e tjera kur zakonisht ka ose komisione ose udhëtime që lidhen me punën dhe angazhimin e deputetëve në kuadër të Kuvendit të Kosovës të mos krijohen situate ku paraqitet mungesa e kuorumit”, tha ajo.


Pas mbledhjes së kryesisë tha se të enjten e javës së ardhshme do të mbahet seancë me vazhdimin e pikave të përfunduara nga seancat prej 4 gushtit deri më 7 tetor. Pas përfundimit të tyre, Kusari-Lila tha se kryesia do të mblidhet për të caktuar seancën e re.

Ndërsa për seancën e sotme, ajo tha se janë pajtuar me opozitën që me mocion procedural të përfshijnë pesë marrëveshjet ndërkombëtare që kanë mbetur pa u votuar si shkak e mungesës së kuorumit.

Ndërsa lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, ajo tha se është e kufizuar të jap përgjigje derisa nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave për Kosovën.

“Në momentin kur nuk ekziston një konfirmim zyrtar i kërkesave që janë për Kosovën apo kushteve teknike siç janë quajtur, unë kufizohem në dhënien e një përgjigje definitive në këtë fushë. Besoj që ky është një proces, ashtu siç është thënë shumë herë deri në këto momente tashmë është caktuar një datë kur vendet të cilat kanë propozuar ose kanë diskutuar për çështje që duan t’i ngrisin në raport për liberalizimin e vizave janë kërkuar që ato të dorëzohen me shkrim… Besoj që procesi si i tillë do të vazhdojë në rrugën e vet dhe pashmangshëm Kosova është në udhëtim njëdrejtimësh, integrimi në Bashkimin Evropian për Republikën e Kosovës nuk ka alternativë dhe ky është qëndrimi ynë në të gjitha funksionet që i ushtrojmë qoftë në legjislativ apo ekzekutiv”, tha ajo.

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, u raportua se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Këtë kërkesë, bashkë me atë për harmonizimin të sistemit të vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, e ka kërkuar Franca. 

Lexo edhe

Video