​Kurti u bën thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve të mos bojkotojnë dhe të mos braktisin institucionet e Kosovës. Derisa ka hapur mbledhjen e qeverisë, Kurti ka thënë se sundimi i ligjit nuk është zgjedhje por është detyrim dhe sipas tij, mungesa e këtij të fundit është kërcënim për të gjithë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se presioni dhe sulmet ndaj qytetarëve në katër komunat veriore nga banda e individ kriminal janë dëshmi se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.

“Ne duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit, nuk është zgjedhje është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat veriore. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individ kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problem i tyre nuk janë vendimet tona, e as afatet që parashihen në to. 1 mijë e 12 vërejtje janë lëshuar deri në mëngjes, asnjë incident e asnjë ankesë. Problemet e tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se atyre që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve po u pengon ligjshmëria dhe luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit.


“Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, janë ata të cilëve ju pengon ligjshmëria e kushtetueshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit. Ne jemi qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelë, e përkushtuar për zhvillim, për barazi për të gjithë për respektim të të drejtave të njeriut dhe shërbim të qytetarëve pa dallime diskriminim. Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë, aleatë e zotuese e paqes, partnere e besueshme e miqve të saj…Bëj thirrje dhe njëherë që të mos bojkotohen të mos braktisen institucionet e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës ndodhi pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak se ai refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

Deri më tash, serbët që kanë konvertuar targat janë përballur me djegie të veturave. Rasti i fundit i tillë ka ndodhur dje në Zveçan.

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve të lëshuar nga Serbia për qytetet e Kosovës. Bëhet fjalë kryesisht për targat KM (Mitrovica e Kosovës) dhe plani është që ato të konvertohen në targa RKS, përmes tri fazave.

Lexo edhe

Video