​Kurti telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-komandantit Reinhardt: Kontributi i tij i pamohueshëm

​Kurti telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-komandantit Reinhardt: Kontributi i tij i pamohueshëm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një telegrami ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-komandantit të Misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjeneralit Klaus Reinhardt.

Vdekjen e gjeneralit Reinhardt e ka vlerësuar humbje jo vetëm për familjen, miqtë e bashkëpunëtorët e tij, por edhe për popullin e Kosovës.

Roli dhe kontributi i gjeneralit Reinhardt në ruajtjen e paqes e sigurisë në vitin e parë të pasluftës në Kosovë është i pamohueshëm, ka thënë kryeministri.

Në telegramin drejtuar ambasadorit të Gjermanisë, Joern Rohde, kryeministri ka rikujtuar periudhën e vështirë të pasluftës, kur gjenerali udhëhoqi me përgjegjësinë më të lartë misionin më të madh ushtarak të NATO-s, prej 50 mijë trupash, sa ishin të vendosura atëherë në Kosovë.

Kryeministri ka thënë që gjenerali Reinhardt e kuptonte shumë mirë kontekstin historik e politik të Kosovës. Ai bashkëndjente me problemet e popullit që atë kohë përpiqej të rindërtonte jetën në shtëpitë e pronat e djegura e të shkatërruara nga forcat policore e ushtarake të Serbisë.

Përveç ndihmës në rindërtimin e shtëpive e shkollave, gjenerali Reinhardt dha kontribut edhe në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve qeverisëse të Kosovës.

Telegram ngushëllimi i kryeministrit Kurti:

I nderuar ambasador,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-komandantit të KFOR-it, gjeneralit Klaus Reinhardt.

Vdekja e tij është humbje jo vetëm për familjen, miqtë e bashkëpunëtorët e tij, por edhe për popullin tonë, sepse gjenerali Reinhardt ishte afër nesh dhe na ndihmoi shumë në vitet e para dhe të rënda të pasluftës.


Roli dhe kontributi i gjeneralit Reinhardt në ruajtjen e paqes e sigurisë në vitet 1999-2001 është i pamohueshëm.

Gjenerali Reinhardt udhëhoqi me përgjegjësinë më të lartë misionin më të madh ushtarak të NATO-s prej 50 mijë trupash sa ishin të vendosura atëherë në Kosovë.

Edhe pse ushtarak, gjenerali Reinhardt e kuptonte shumë mirë kontekstin historik e politik të Kosovës.

Ai bashkëndjente me problemet e popullit që atëkohë përpiqej të rindërtonte jetën në shtëpitë e pronat e djegura dhe të shkatërruara nga forcat policore e ushtarake të Serbisë.

Përveç ndihmës në rindërtimin e shtëpive e shkollave, gjenerali Reinhardt dha kontribut edhe në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve qeverisëse të Kosovës.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të z. Reinhardt, ushtrisë gjermane dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Populli dhe shteti i Kosovës do t’i kujtojë përherë me respekt e mirënjohje angazhimin, kontributin dhe humanizmin e gjeneralit Reinhardt.

Me nderime,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Lexo edhe

Video