​Kurti: Targat KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim

Në takimin e dytë që zhvilluan në Bruksel më datën 18 gusht 2022 mes Kosovës dhe Serbisë, tema diskutimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishin çështja e personave të zhdukur me dhunë dhe aspekti i lirisë së lëvizjes të qytetarëve mes dy vendeve.

Kurti tha sot në adresimin e tij para mbledhjes së qeverisë se targat KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim, derisa shtoi se në takimin e fundit në Bruksel ishte propozuar që Kosova të prodhojë targa neutrale.

Para kabinetit qeveritar, kreu i ekzekutivit kosovar tha se përkundër që marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë ka qenë e gatshme për nënshkrim, kjo nuk ndodhi të enjten e 18 gushtit  pasi nuk pati gatishmëri nga pala serbe.

“Unë atje kam qenë si kryeministër i Kosovës, nuk kam qenë as si policë, as si doganier, as si prokuror e as si gjykatës, e as si shefi i kadastrit të Kosovës. Kam shkuar si kryeministër I Kosovës sepse pika  e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Në takimin e dytë është diskutuar çështjet aktuale. Në tavolinë kanë qenë tema e personave të zhdukur me dhunë dhe ajo e lirisë së lëvizjes, apo e vendimit të palës kosovare që të zbatohet një marrëveshje e arritur më herë në Bruksel një marrëveshje që veçse është zbatuar nga ana e Serbisë që nga korriku i vitit 2011. 11 vite janë bërë pra në muajin e kaluar  që Serbia e zbaton atë marrëveshje. Tek tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pas gaditshmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti i dakorduar pra për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajtje dhe me germë të dakorduar, por nuk ekziston nënshkrimi pa fajin tonë është pala tjetër ajo e cila nuk ka pranuar. Kjo ka mund të nënshkruhet të enjten që shkoi”, tha Kurti.

E sa i takon lirisë së lëvizjes apo vendimit të Qeverisës ë Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumente për  hyrje-dalje, Kurti tha se katër propozime janë prezantuar gjatë takimit nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij pala kosovare ka qenë e hapur për diskutime, por e njëjta gatishmëri nuk ishte nga  Serbia.

“Marrëveshja për lirinë e lëvizjes ka ardhur si temë me katër propozime, opsione që janë hedhur në tavolinë nga ana e BE-së përkatësisht ndërmjetësuesit, Lajçak. Deklarata se ka pasur propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta. Ne ende kemi qenë të hapur për diskutime në këtë drejtim mirëpo nga ndërtesa ka dal pala tjetër. Ne si Republikë e Kosovës jemi tërësisht të interesuar për promovim të plotë të lirisë së lëvizjes. Kjo nënkupton se opsioni më i pranuar për ne do të ishte eliminimi i plotë nga dy vendet i dokumenteve hyrje-dalje të mos i ketë as Serbia e as ne kjo është më e mira”, u shpreh shefi i ekzekutivit kosovar.


Sa i takon propozimit për targat KS kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këto targa nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim.

“Në marrëveshjen e vitit 2016 vetë presidenti i Serbisë  presidenti i Serbisë si nënshkrues i saj e ka pranuar që këto targa janë ilegale, si dhe ka pranuar që mundësia për regjistrim me targa KS është e përkohshme vetëm deri në shtator të vitit 2021. Ata që i kanë konvertuar veturat e tyre gjatë periudhës janar 2017- janar 2018, po ashtu e kanë ditur këtë dhe rrjedhimisht që nga shtatori i vitit 2021 i kanë konvertuar këto targa nga KS në RKS pa asnjë incident të vetëm. Edhe tek konvertimi i deritanishëm i targave edhe tek lëshimi i atyre 2679 dokumenteve hyrje-daljeve përgjatë 19 orëve të së hënës së 1 gushtit  nuk kemi asnjë incident dhe asnjë ankesë. Targat KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie e prej këtij sovraniteti dhe nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vetë statusit të saj, se njëri prej opsioneve ka qenë që ne të prodhojmë targa neutrale”, ka thënë Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës u është përgjigjur kritikave për mosdeklarim lidhur me takimin e mbajtur në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se nuk u deklarua pasi që ka pas një dakordim intern për mosprononcim.

“Unë nuk jam prononcuar pas takimit të datës 18 gusht,  meqë ka pas një dakordim intern për mosprononcim, për mosacarim nga brenga se kjo do të ndikon negativisht në ecurinë e dialogut, jo të gjithë i janë përmbajtur këtij dakordimi”, theksoi Kurti.

Aktualisht në Kosovë po qëndrojnë  të deleguarit e BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Escobar, i cili dje arriti në Kosovë ka zhvilluar takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe krerët opozitar, kurse sot pritet që bashkë me Lajçak të takojnë krerët institucional dhe opozitën.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.