​Kurti për vrasjen e shtatzënës: Kosova ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje

​Kurti për vrasjen e shtatzënës: Kosova ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe sot për rastin e vrasjes së shtatzënës në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e së mërkurës. Ai ka thënë se dhuna në familje në vendin tonë është më e përhapur se që paramendohet.

Duke theksuar se shumësia me dhunuesit e ka sjell familjarizimin me dhunuesit në shoqëri, ai ka shtuar se Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.

“Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje. Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjell familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, ka shkruar ai.


Kreu i ekzekutivit ka thënë se kur vritet gruaja veçse është bërë vonë. Derisa kritik është shprehur edhe për “zgjimin shoqëror”.  

“Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private”, ka shtuar ai.

Ndërsa, për fund Kurti ka dhënë një porosi.

“Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal ‘nderi burrëror – gruaja shërbëtore’. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrenë zërin kundër burrave që ngrenë dorë mbi gruan. Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Lexo edhe

Video