​Kurti: Opozita po e përdorë grevën si armë kundër meje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita po e përdorë grevën në arsim si armë kundër tij.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë në debatin e sotëm parlamentar për grevën, Kurti tha se s’ka pasur gatishmëri nga BSPK-ja dhe Këshilli Grevist për zgjidhje kompromisi.

“Problem është kryeministri, jo se fëmijët nuk po shkojnë në shkolla. Greva është armë kundër kryeministrit”, tha ai. 

Duke folur për termin “vëlla”, për të cilin kritikoi kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn, se e përdori në takim me të, Kurti tha se duhet ndarë sfera publike dhe ajo private.


Ai tha se ka dy vëllezër dhe asnjëri prej tyre s’ka shkuar dhe s’do të shkojë në qeveri gjatë qeverisjes së tij. Sipas tij, ka kaluar koha kur kryeministrat janë bërë me vëllezër. 

“Unë i kam dy vëllezër, mirëpo asnjëri prej tyre, në Kurtin I dhe Kurti II nuk ka ardhur në ndërtesë të Qeverisë edhe nuk vjen. Unë besoj se vëllezërit janë për te shtëpia, ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër për vëllezër. Prandaj unë natyrisht irritohem kur dikush vjen në zyrën e kryeministrit dhe të thotë ‘vëlla’. Është shumë me rëndësi të kuptohet vizioni im që të ndahet publikja prej privates”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti tregoi hapat që sipas tij i ka bërë në raport me grevat.

“Nuk kanë mundur të konsultojnë anëtarësinë vetëm me një anëtar të vetëm me të cilin kanë mundur të flasin në telefon. S’është e mundshme, mediat kanë qenë jashtë. Në vend që t’iu thonë atyre ‘diskutimet vazhdojnë’, ata thanë se ‘greva vazhdon’. Ky nuk është dialog social, sepse nuk mundesh të thuash në takim se ‘kam nevojë të konsultoj anëtarësinë për ofertën e re’, e të dalësh jashtë dhe të thuash se ‘greva vazhdon’. Prandaj jemi në këtë krizë, rrjedhimisht s’ka munguar as komunikimi dhe as dialogu, por po mungon sinqeriteti. Për mua është e qartë se këtu nuk janë viktimë krerët sindikalë, as ne si qeveri, por nxënësit, mësimdhënësit, arsimi dhe ardhmja e shtetit tonë. Kjo është e vërteta. Mirëpo tash në këtë polarizim të skajshëm ka përpjekje të vazhdueshme për viktimizim të individëve”, tha ai.

Lexo edhe

Video