​Kurti nuk lëshon pe për reciprocitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë dy skenarë për 1 shtator kur edhe pritet të fillojë zbatimi i vendimeve për targa dhe letërnjoftime. Ai tha se nuk do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi e as në Kosovë, ose do të ketë në të dyja vendet.

Në konferencën për media kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se opsionin për targa neutrale për serbët në Kosovë ka dhënë ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak. Derisa shtoi se ky opsion është i papranueshëm për Kosovën.

Duke përsëritur se Kosova është për një marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme, ai tha se njohja e dokumenteve të Kosovës nga ana e Serbisë nuk paraqet njohje të Serbisë për shtetin e Kosovës.

“Më datën 1 shtator do të kemi njërin prej dy skenarëve ose nuk do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi e as në Kosovë, ose do të ketë në të dyja këto. Kur ne themi që po bëjmë dialog për marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme dhe një marrëveshje, e cila e ka në qendër njohjen reciproke. Fakti që nuk kemi më targa të përkohshme nuk do të thotë që na ka njohur Serbia. Edhe njohja e dokumenteve të Kosovës nga ana e Serbisë nuk paraqet njohje të Serbisë për shtetin e Kosovës. Por, është në frymën e reciprocitetit që është fryma e këtij dialogu. Dhe në këtë aspekt ne jemi të vendosur, sepse po të mos ketë reciprocitet si frymë të dialogut, nuk mund të presësh njohje reciproke në qendër të marrëveshjes”, tha Kurti.

Në konferencën për media kryeministri Kurti është deklaruar edhe për takimin e nivelit të lartë më 18 gusht në Bruksel, duke thënë se në këtë takim ka shkuar me propozime konkrete.

“Duhet ta shohim në takimin e sotëm se a kanë opsionet të reja, mirëpo opsionet kur Kosova duhet të prodhojë targa neutrale për vetveten nuk vijnë në konsiderim. Me mua si kryeministër nuk mund të ketë prodhimtari status-neutrale në Republikën e Kosovës. RKS janë tabelat e Kosovës… Targa të UNMIK-ut nuk prodhon Republika e Kosovës”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti është sqaruar edhe rreth deklaratës së ambasadorit amerikan, Christopher Hill, i cili ka thënë se pala kosovare nuk ka qenë e përgatitur në dialog.


“Së pari në Bruksel kam qenë unë dhe kam marrë pjesë në të gjitha takimet, në këto takime kam qenë kreativ, konstruktiv, i përkushtuar për dialog, për marrëveshje jo për dialog për dialog. Marrëveshja duhet të jetë ndërkombëtarisht ligjërisht e obligueshme, duhet të jetë marrëveshje finale, për normalizim të plotë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve që në qendër duhet të ketë njohjen reciproke. Unë kam shkuar me propozime konkrete… Unë kam prezantuar një ide me 6 kapituj dhe me elemente përkatëse se si do të duhej të duket ajo kornizë e përgjithshme e marrëveshjes. Pra, unë kam propozuar, ai që propozon konkretisht është konstruktiv, është ndihmues, dhe ky kam qenë unë. 18 gushti është dashur të mbahej më 19 korrik, unë kam qenë i gatshëm, mirëpo Beogradi ka kërkuar të shtyhej pas një muaji dhe kur ka ardhur pas në muaji nuk ka sjell ide konkrete”, ka thënë Kurti.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 41 milionë euro në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike për mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ky është zotim i qeverisë për të mbështetur qytetarët në tejkalimin e krizës energjetike dhe përballimin e tarifave të shtrenjta.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për përfaqësimin e Kosovës në proceset e arbitrazhit.

Po ashtu në mbledhjen e sotme është miratuar sot Udhëzimin e ri administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës dhe vendosjen e marzhës së fitimit në tregtinë me karburante dhe derivateve të tjera.

Udhëzimi për rregullimin e çmimit të naftës dhe karburanteve është miratuar nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ekzekutivi më 24 qershor të këtij viti kishte miratuar një Udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës, por ai është ndryshuar sot.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari nuk ka dhënë detaje  për  përmbajtjen udhëzimit të ri për  rregullimin e çmimit të naftës.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.