​Kurti në Bruksel kërkon sërish liberalizimin e vizave

Kryeministri Albin Kurti, sërish ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit (MSA), kreu qeveritar tha se janë të përkushtuar për zbatimin e prioriteteve që dalin nga MSA-ja, por kërkoi që kushtet e BE-së të jenë të barabarta dhe të drejta për gjithë rajonin.

Në një konferencë të përbashkët për medie, me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, shefi i ekzekutivit vuri në pah progresin në rritjen ekonomike dhe menaxhimin me pandeminë Covid-19.


“Ky takim është një arritje e rëndësishme në zbatimin e MSA-së, sidomos në kuptimin e fillimit të fazës së dytë të prioriteteve politike nën agjendën evropiane të reformave. Kemi miratuar tashmë planin e ERA 2 me prioritetet që dalin nga MSA-ja. Jemi të përkushtuar ta zbatojmë me prioritet të lartë… Kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të ndërlidhura me progresin e vërtetë dhe motivojnë që rruga e Kosovës të jetë më e shkurtër drejt qytetërimit evropian dhe të jetë progres i qëndrueshëm. Për të përforcuar besimin tek BE-ja, ne besojmë se është me rëndësi që të kemi përfundimisht liberalizim të vizave për Kosovën. Tashmë kanë kaluar tri vjet që prej Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizmin e vizave për herë të dytë për Kosovën, por qytetarët tanë ende duhet të vuajnë regjimin e vizave”, tha ai.

Ndërkaq, kryediplomati evropian, Borrell tha se MSA-ja mbetet themeli i bashkëpunimit me Kosovën. Ai tha se e mirëpret fokusin e kryeministrit Kurti për ekonomi dhe për sundim të ligjit.

“Ka qenë mundësi e mirë për tu fokusuar tek agjenda bilaterale BE-Kosovë. Jemi këtu, po matim avancimet dhe përparimin e bërë, pasi MSA-ja mbetet themeli apo qendra e këtij bashkëpunimi. Është udhëzuesi i juaj drejt shtegut evropian dhe krijon mundësi të shumta. Sigurisht nuk jemi këtu për të kryer punën e juaja, mu për këtë e mirëpres kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të vënë në fokus tek sundimi i ligjit, ekonomia, të fokusohet tek populli i Kosovës. Ne mbesim të vendosur dhe të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet tona në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të shohim më shumë progres në këtë drejtim, por edhe sa i përket reformave në administratën publike”, deklaroi Borrell.

Lexo edhe

Video