Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se krimi i organizuar në veri me mbështetjen financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon vendin.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti tha se vrasja e policit Afrim Bunjaku do të kthehet në angazhim më të shtuar në luftimin e bandave dhe strukturave kriminale në veri.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjshmërinë dhe mbrojmë Kosovën e pavarur. Kriminelët do të dështojnë, do të kapen dhe do të dënohen”, tha ai.

Në konferencë për medie, Kurti tha se aktualisht janë 30 persona të armatosur rëndë rreth Manastirit të Banjskës.
“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj të dorëzohen tek organet tona të sigurisë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë”, shtoi ai.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa polici tjetër Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.