​Kurti mburret për 100 ditët: Janë kthesë drejt zhvillimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mburrur për punën e ekzekutivit në 100 ditët e para të punës. Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se kanë përmbushur premtimin bazë për menaxhimin me pandeminë dhe sigurimin e vaksinave për Covid 19.  Para vartësve të tij, kreu qeveritar përmendi si sukses “ringjalljen” ekonomike, angazhimin në implementimin e zotimeve për drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe depolitizimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Megjithatë, theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se s’ka vend për relaksim, pasi, sipas tij suksesin do ta shohin me pritjet e qytetarëve dhe jo me qeveritë e kaluara. Këto 100 ditë, Kurti i quajti kthesë drejtë zhvillimit të së ardhmes.

Në mbledhjen e 18-të qeveritare, Kurti tha se në 100 ditë kanë marrë 142 vendime dhe kanë kaluar projektligje dhe dokumente të rëndësishme. Ani pse tha se është përmbushur zotimi për menaxhimin me pandeminë, i pari i Qeverisë tha se e njëjta ende nuk ka mbaruar dhe ekziston ende rreziku nga COVID-19.

“Në ditën kur e pranuam detyrën kishim 781 raste me infektime të reja dhe 17 vdekje, kurse sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Nuk gjetëm asnjë vaksinë kur u rikthyem dhe për me keq asnjë kontratë për sigurimin e vaksinave. Ndërsa sot kemi 2 milionë vaksina të siguruara, afër 400 mijë sosh kanë arritur dhe kemi mbi 200 doza të administruara. Gjendja me pandeminë është vënë në kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm. Në muajin mars deri në qershor kemi ulje prej 99 përqind të rasteve të reja, 97 përqind ulje të rasteve aktive dhe 86 përqind ulje të rasteve të hospitalizuar[…]nëse e kthejmë shikimin 100 ditë prapa e kuptojmë dallimin dhe ndryshimin i cili është më shumë se ndryshim. Andaj me kënaqësi raportojmë se pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, vaksina është siguruar dhe s’bashku kemi përmbushur premtimin bazë ndaj qytetarëve[…]por pandemia ende nuk ka mbaruar dhe rreziku nga virusi mbetet i pranishëm, ne duhet të sillemi  përgjegjësi dhe kujdes duke respektuar udhëzimet shëndetësorë”, u shpreh Kurti.

Buxhetin e rishikuar gjatë javës së kaluar, Kurti tha se do ta mundësojë ringjalljen ekonomike, derisa paraqiti shifra ta pakos së re të rimëkëmbjes.

“Në këto 100 ditë ekonomia jonë i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë të mirë dhe masave tona ndaj pandemisë. Për periudhën e njëjtë në krahasim me vitin e kaluar eksportet janë rritur për 66 përqind, aktiviteti ekonomik për 15 përqind, të hyrat buxhetore për 30 përqind. Në 5 mujorin e këtij viti Dogana e Kosovës për herë të parë që nga  themelimi i saj ka raportuar mbi  500 milionë të hyra për buxhetin e Kosovës. Ndërkaq ATK ka raportuar se janë inkasuar 60 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Bazuar në këtë Qeveria ka miratuar projekt-buxhet për vitin 2021 për 2.5 miliardë euro sipas të cilit projektohet rritja ekonomike prej 7.9 përqind për dallim nga 5.5 përqind siç parashihej në fillim të vitit. Ky nivel parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023. Kjo rritje dhe ndryshim na jep shpresë se ditë të mira po na presin, natyrisht këto janë rezultat i shumë faktorë, por s’ka dyshime se rritja e besimit në institucione dhe punën e qeverisë, optimiste dhe reformat, formalizmi gradual i ekonomisë, por edhe intervenimet tona përmes pakos financiare janë faktorët kryesor. Buxheti i rishikuar ka mundësuar dizajnimin dhe ringjalljen ekonomike që krijon bazën për një rritje të qëndrueshme dhe të punësimit në vitet në vijim. Pako e re parasheh kontribut në ekonomi në vlerë prej 1.1 miliardë euro dhe përmban një sërë masash dhe investimevesh. Një pjesë e tyre janë të përqendruar si vijon: 50 milionë euro mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës, 108 milionë euro mbështetje për prodhimin vendor dhe eksportit. 112 milionë euro për shërbimet publike. 50 milionë euro për familjet, 100 milionë euro për infrastrukturor moderne dhe mbrojtje të ambientit”, tha ai.


Duke përmendur vendimet për sundim të ligjit, Kryeministri Kurti tha se do të jenë të pa kompromis në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në përputhje me zotimet tona për drejtësi janë bërë hapa që kanë hedhur bazën e një reforme të rëndësishme që synon të sjell profesionalizëm dhe neutralitet në sektorin e drejtësisë, me theks të luftimit të korrupsionit. Në këtë drejtim është themeluar grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për zhvillimin e procesit të vetingut dhe është hartuar drafti fillestar i tij. Nesër më 1 korrik finalizohet drafti i parë i projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Është miratuar nga Kuvendi plotësim-ndryshimi i Kodit të Procedurës penale që heq çfarëdo pengesë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës[…]Të gjitha këto dëshmojnë vullnetin tonë për krijimin e kushteve më të lehta për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët do të lehtësojnë zbardhjen e keqpërdorimeve të shumta dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Ne do të jemi të pa kompromis dhe nuk do të ndalemi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar… Për 100 ditë kemi kryer 101 operacione, 221 bastisje, 933 arrestime janë shkatërruar 8 grupe kriminale dhe janë konfiskuar 7 milionë euro. Po ashtu kemi përmbyllur me sukses operacionin me  gjetjen e rreth 400 kg kokainë”, shtoi Kurti.

Lidhur me shkarkimet dhe emërimet në ndërmarrjet publike, kreu qeveritar tha se kjo do t’i shlirojë ato nga grupet e interesit dhe se do të emërojnë profesionistë.

“Kemi filluar depolitizimin dhe departizimin e institucioneve të Republikës duke shkarkuar persona të lidhur me grupe të interesit dhe emëruar dhe zgjedhur profesionist, siç është emërimi i drejtorit të ri të AKI dhe drejtorit të ri të Doganës së Kosovës. Për të shliruar ndërmarrjet publike kemi shkarkuar bordet ekzistuese dhe kemi emëruar bordet e përkohshme”, tha ai.

Megjithatë, Kurti tha se ky është vetëm fillimi dhe iu tha ministrave se vend për relaksim s’ka.

“ky është vetëm fillimi, vend për vetëmjaftueshmëri dhe relaksim nuk ka. S’ka sepse qytetarët presin rezultate sa më shumë dhe sa më shpejtë[…]Andaj unë dua që suksesin tonë ta matim jo me sa mirë po qeverisim në krahasim me qeverisjet e kaluara, por sa mirë po qeverisim me pritjet e qytetarëve[…]këto janë 100 ditët e kthesës së zhvillimit”, shtoi ai.

Lexo edhe

Video

4 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: